“Këpuca e artë”, enigma e fundit e sezonit

- Sezonit futbollistik 2006-2007 i ka mbetur vetëm një enigmë për t'u zgjidhur: fituesi i "Këpucës së artë" shqiptare, golashënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore, kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga përfundimi i Kampionatit të 68-Kombëtar.
Dy kandidatët, Vioresin Sinani (Tirana) dhe Daniel Xhafaj (Teuta) kanë vetëm një gol diferencë ndaj njëri-tjetrit. Sulmuesi shkodran i 23-kampioneve është autor i 21 golave në 32 javët e luajtura të këtij kampionati, ndërsa vlonjati i finalistes së Kupës së Shqipërisë ka shënuar 20 gola në po kaq javë të luajtura.
Sinani, i thirrur në Kombëtaren e Shqipërisë për ndeshjen miqësore kundër Anglisë B (25 maj 2007, në Burnely) e ka fituar edhe njëherë trofeun e golashënuesit më të mirë në sezonin 2003-2004, kur shënoi 36 gola për fanellën e Vllaznisë.
Interesant është fakti se nëse Daniel Xhafaj ka shënuar dy gola me Teutën kundër Tiranës, Vioresin Sinani nuk është autori i asnjë prej 6 golave bardheblu në portën durrsake.
Java e 33, njëherësh edhe e fundit e sezonit do ta vendosë Tiranën kundër Vllaznisë, teksa sulmuesi Sinani, tri herë kampion i Shqipërisë, do të synojë të shënojë në portën e ekipit të qytetit të lindjes, ku dhe u konfirmua edhe si futbollist. Në dy takimi e parë kundër Vllaznisë (1-1) në Shkodër ishte Hamdi Salihi(një tjetër shkodran) ai që shënoi për Tiranën, ndërsa në atë të fazës së dytë në Tiranë (1-0, Java 14), Vioresin Sinani shënoi golin e vetëm të takimit. Viori nuk e ka fshehur dëshirën që të shënojë në portën e mikut të tij Grima, edhe pse sezonin e ri futbollistik mund ta nisë si lojtar i Vllaznisë.
Daniel Xhafaj, edhe ky i thirrur së fundi nga trajneri Oto Baric, synon trofeun e parë personal, që shpërblehet nga Federata Shqiptare e Futbollit edhe me një shumë simbolike prej 1500 eurosh. Teuta, që humbi të mërkurën finalen e Kupës me Besën, do të përballet në transfertë me Shkumbinin. Kapiteni i Teutës e njeh shumë mirë portën e peqinasve, teksa ka shënuar dy gola në dy takimet e para gjatë këtij sezoni.
"Këpuca e artë" 2005-2006
Sezonin e kaluar trofeun e golashënuesit më të mirë të e fitoi Hamdi Salihi me 29 gola. Shkodrani që luajti deri në muajin dhjetor për fanellën e Tiranës u largua nga ekipi kryeqytetas hnë kuotën e 13 golave. Gjatë 67 kampionateve të zhvilluar deri tani, 13 herë e ka fituar "Këpucën e artë" një lojtar i Tiranës. Mark Gurashi është golashënuesi më i mirë i kampionatit të parë ( 1934). në "Librin e artë" janë edhe Riza Lushta (2 herë), Enver Shehu, Skënder Hyka, Petrit Dibra, Arben Minga, Augustin Kola (2), Indrit Fortuzi (2), Mahir Halili dhe Hamdi Salihi.
59 GOLA REKORDI SHQIPTAR
Rekordin e golave të shënuar në një kampionat shqiptar e mban sulmuesi i njohur i Partizanit, Refik Resmja, i cili ka shënuar 59 gola në kampionatin e vitit 1951.