E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata sjell me vete një … peshore!

SHKRUAN: Jeton Selimi 04-11-2011 13:18

Trajneri i Vllaznisë kërkon disiplinë të hekurt dhe ka vendosur limite për oraret dhe peshën trupore të lojtarëve. Në ndeshjen kundër Bylisit, Vata do të konsultohet shpesh me Sinanin, pasi nuk e njeh ende skuadrën aq sa duhet

Rudi Vata nuk kërkon të ketë në dorë një tufë çupëlinash, por një bandë burrash të gatshëm për të luftuar deri në sekondën e fundit. Të paktën kjo është ajo që lë të kuptohet stërvitja që ai kryen dhe rregullat që janë afishuar në hollin e klubit. Ish-lojtari i Sëlltikut ka vendosur që të sjellë një pjesë së eksperiencës së tij ndërkombëtare për të vendosur në shina një skuadër prej së cilës pritet vërtet shumë. Bashkë me sendet e tjera, Vata ka vendosur edhe një peshore për të kaluar sipër saj të gjithë lojtarët pas ditës së pushimit që do të kenë pas ndeshjes. E kotë të diskutohen oraret, ku nuk do të tolerohen aspak vonesat e paarsyetuara më parë te trajneri. Duket se Rudi e ka ndarë mendjen: që të kthejë besimin e tifozëve, duket që skuadra t’i bindet dhe më pas të bëjë atë që ai mendon. “Nëse tifozët janë larguar nga shkallët e stadiumit, e kanë bërë këtë ngaqë nuk kanë pasur çfarë të shohin në fushën e lojës. Ata janë aq të mençur sa të mos gënjehen dhe prandaj më mirë preferojnë të rrinë në shtëpi sesa të vijnë në stadium dhe në vend që të zbaviten për dy orë, bëjnë të kundërtën dhe prandaj numri i tyre ka ardhur duke u reduktuar. Unë këtë do kërkoj nga skuadra ime tashmë. Të dhuroj lojëra të bukura. Ndoshta rezultati pozitiv nuk vjen në çdo ndeshje, por e rëndësishme është të luajmë futboll dhe ta kërkojmë fitoren me lojë,” – është shprehur ditën e parë të emërimit Vata. Debutimi Rudi Vata e nis të shtunën ndaj Bylisit në një ndeshje që duhet fituar patjetër. Ai sigurisht që nuk ka premtuar titullin, por ka premtuar se do të bëjë më të mirën për të kapur vendin e tretë në kampionat, çka është brenda objektivave të klubit. Pas Bylisit, shorti në fakt është i favorshëm, pasi Vllaznia do të shkojë në Fier dhe do presë pastaj Skënderbeun në Shkodër. Megjithatë, në ndeshjen e parë të tij në stolin kuqeblu, Vata do të ketë edhe asistencën e çmuar të Vioresin Sinanit, pasi ai ende nuk a ka krijuar atë “feeling”-un e duhur me krejt skuadrën dhe i duhet ende pak kohë që t’i njohë të gjithë lojtarët. Vata pati mundësinë ta shihte ndeshjen e javës së kaluar të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, Vllaznia-Bylis, nga tribuna e “Loro Boriçit”. U largua shumë i zhgënjyer nga ajo që paraqiti skuadra shkodrane në fushë dhe, ndonëse në atë moment nuk ishte ende trajner i saj, mund të ketë qenë në dilemë të madhe për ta marrë apo jo drejtimin e kësaj skuadre. Tashmë ai duhet të bëjë ndryshe dhe të shtunën të gjithë shkodranët presin fitoren prej tij.

Superliga

Java VIII

Kastrioti – Tomori

Tirana – Skenderbeu

Flamurtari – Apolonia

Vllaznia – Bylis

Kamza – Shkumbini

Teuta – Dinamo

Pogradeci – Laçi

Renditja

Skuadra N F B H P

1. Tirana 7 5 1 1 16

2. Teuta 7 5 1 1 16

3. Flamurtari 7 5 0 2 15

4. Kastrioti 7 4 0 3 12

5. Laçi 7 3 3 1 12

6. Skënderbeu 7 2 4 1 10

7. Kamza 7 3 1 3 10

8. Vllaznia 7 3 1 3 10

9. Shkumbini 7 2 3 2 9

10. Bylis 7 2 1 4 7

11. Apolonia 7 2 1 4 7

12. Pogradeci 7 2 1 4 7

13. Tomori 7 1 1 5 4

14. Dinamo 7 0 2 5 -1

Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›