Zaneti beson te fitorja e trofeut, Napoli bën hesapet me Sitin
Kapiten i Interit, Havier Zaneti, thotë se ai dhe bashkëlojtarët e tij besojnë se mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve këtë sezon, por shton se ata do të kenë një ide më të qartë të garës në shkurt. “Të gjitha ekipet e mëdha po ia dalin mbanë. Do të jetë një garë shumë e ekuilibruar. A besoj se mund ta fitojmë? Duhet të besojmë se mundemi, dhe të përmirësohemi çdo ditë. Por, Liga e Kampionëve është një garë aq e çuditshme sa duhet të shikojmë se si do të jetë gjendja e çdo ekipi në shkurt,” ka thënë Zaneti. Ndërkohë, trajneri i Interit, Klaudio Ranieri, është i bindur se ata do të rikthehen pas fitores së Ligës së Kampionëve ndaj Lilës. Valter Samuel dhe Diego Milito shënuan nga një gol për t’i dhënë Interit fitoren 2-1 në takimin e së mërkurës. “Vendosmëria dhe guximi janë kualitete të cilat vërtet më pëlqyen në ekipin tim. Jam vërtet i kënaqur me performancën, pasi djemtë luajtëm me shpirt. Milito është një simbol i ekipit, i cili dëshiron të luftojë, reagoi ndaj vështirësive dhe në fund arriti të shënojë golin e tij”. Në Mançester po përpiqet që të lihet pas disfata e turpshme 6-1 ndaj Sitit. Ndaj Sër Alex Ferguson, është i ngazëllyer me paraqitjen e Uejn Runit në mesfushë në fitoren ndaj Ocelul Galacit. “Mendoj se ai ishte lojtari ynë më i mirë ai tregoi një vetëbesim të madh për atë rol. Përzgjedhja e tij e pasimeve në momente të caktuara ishte shumë e mire. Kishim dëmtime dhe kjo ishte arsyeja se pse e vendosëm Runin në mesfushë”, ka thënë Ferguson. Ylli i Napolit, Ezekiel Laveci, thotë se dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare për suksesin e Napolit si në Serie A po ashtu edhe në Europë. Pas disfatës në Champions, ku italianët u mundën 3-2 nga Bajerni, Napoli ka zbritur në vendin e tretë të tabelës me pesë pikë, dy më pak se Siti, me të cilin do të përballet në ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kampioneve. “Ne po luftojmë për t’u kualifikuar dhe jemi në garë me Mançester Sitin, por po ashtu duhet të fokusohemi edhe në ndeshjen e së dielës dhe shumë të rëndësishme në Serie A kundër Juventusit. Ne jemi ca të lodhur, por ndeshjet si kjo të ndezin”, ka thënë Laveci.
Mançester Siti
Kapiteni Kompani: Mezi pres të shkoj në Napoli
Kapiteni i Mançester Sitit, Vinsent Kompani, thotë se lojtarët janë të ngazëllyer që mund të vendosin kualifikimin në raundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve në transfertën e Napolit. Siti mposhti Vilarealin me rezultatin 3-0 në ndeshjen e së mërkurës, ndërsa Napoli u mposht 3-2 nga Bajern Mynihu. “Është një ndeshje e madhe, por kjo është arsyeja se pse luajmë në Ligën e Kampionëve. Ne gjithmonë kemi menduar se nëse e bëjmë punën tonë në mënyrë të duhur, atëherë jemi po aq të fuqishëm sa çdo ekip tjetër. Ne nuk kemi nevojë të shohim shumë nga skuadrat e tjera. Mund të fitojmë çdo ndeshje”, ka thënë Kompani.