E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF zyrtarizon sot listën kuqezi

Trajneri mungon, por federata nuk ngurron të shpallë lojtarët e grumbulluar për ndeshjet kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë

Në mungesë të një emri konkret për stolin kuqezi, Federata Shqiptare e Futbollit ka deklaruar dje se do ta bëjë sot publike listën emëore të lojtarëve që do të grumbullohen në kuadër të dy takimeve miqësore kundër Azerbajxhanit, ndeshje që do të luhet më 11 nëntor në stadiumin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës, dhe kundër Maqedonisë, sfidë që do të luhet 4 ditë më pas në Prilep. Ende nuk dihet se cilët do të jenë kuqezinjtë që do të thirren “nën armë” dhe se çfarë politike do të ndjekë federata në mungesë të trajnerit, në do të jetë sërish garda e vjetër e grumbulluar, apo edhe pse pa një udhëheqës në stol, FSHF do të vendosë ta nisë vetë atë që prej kohësh është etiketuar si “rinovimi i skuadrës kuqezi”.

Toshak shpall skuadrën anti-Shqipëri

Trajneri i përfaqësueses së futbollit të Maqedonisë, uellsiani Xhon Toshak, ka publikuar listën e 24 futbollistëve të ftuar për takimin miqësor me Shqipërinë, i cili do të zhvillohet më 15 nëntor në Prilep. Në listën e trajnerit uellsian figurojnë edhe emrat e katër futbollistëve shqiptarë: Muhamed Demiri, Bajram Fetai, Agim Ibraimi e Ferhan Hasani. Maqedonia do të grumbullohet më 9 nëntor në Shkup. Ja edhe lista e plotë e Maqedonisë: Portierë: Bogatinov, Pacovski, Nuredinoski. Mbrojtës: Todorovski, Georgievski, Lazarevski, Noveski, Sikov, Mojsov, Dimitrovski, Popov, A.Lazevski. Mesfushorë: Sumulikoski, Demiri, Gjurovski, Despotovski Gligorov, Ibraimi. Sulmues: Pandev, Trickovski, Naumoski, Hasani, Ivanovski, Fetai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›