Vatikani: Të luftojmë abuzimet thelbësore për besueshmërinë tonë
“Mënyra se si Kisha po e përballon çështjen e abuzimeve seksuale mbi të miturit, nga ana e klerit katolik është thelbësore për besueshmërinë e saj morale”, deklaroi at Federico Lombardi, zëdhënës i Vatikanit, në një koment të bërë për Radio Vatikanin. Sipas drejtorit të zyrës së shtypit, “sulmet mediatike” të muajve të fundit i kanë shkaktuar pa dyshim dëme Kishës, por nga këto ngjarje Autoriteti i Papës del i forcuar dhe jo i dobësuar. “Një vëzhguesi të thjeshtë josipërfaqësor nuk i ka shpëtuar fakti se Papa dhe angazhimi intensiv dhe koherent i Kongregacionit për doktrinën e besimit, dalin nga sulmet e fundit mediatike, jo të dobësuar, por më të fortë, për të vazhduar luftën e tyre në mbylljen dhe luftimin e fenomeneve të tilla kudo ndodhin ato”, tha ai. Më tej, ai theksoi se “rastet e sjella në vëmendjen e publikut përgjithësisht kanë ndodhur shumë kohë më parë, megjithatë njohja e tyre, përballimi i tyre nga kisha dhe vënia e fajtorëve para përgjegjësisë, nuk lidhet me kohën. Fajtorët duhet të paguajnë, në mënyrë që ne të ecim të pastër, me përulje dhe besim drejt së ardhmes. Këtij besimi i kontribuojnë edhe sinjalet pozitive që vijnë nga institucionet katolike në vende si Gjermania, Austria, Australia, apo Kanadaja”. At Lombardi ka rrëfyer se nga SHBA-ja kanë ardhur gjithashtu lajme pozitive. Në fakt, numri i akuzave në vitin e fundit ka rënë me 30 për qind. Në bazë të masave të marra nga Kisha Amerikane, në komunikatën e tij theksohet: “Duhet pranuar se masat e marra nga kjo kishë kanë rezultuar efikase. Kjo kishë është në rrugën e duhur për t’u rinovuar”. Edhe “Osservatore Romano” ka dalë në mbrojtje të Papës. “Kundër abuzimeve me të miturit, askush nuk ka bërë aq sa Benedikti XVI”, shkruan e përditshmja zyrtare e Selisë së Shenjtë.
#