E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatikani, masa të rrepta kundër priftërinjve pedofilë

Ndryshimi

Pasi u trondit nga një sërë skandalesh pak muaj më parë, ku u zbuluan abuzimet e priftërinjve katolikë me të miturit apo personat me aftësi të kufizuar, Vatikani ka shtrënguar rripin për të luftuar krimet e priftërinjve pedofilë. Ai ka ndryshuar shumë rregulla dhe ka futur disa të reja për ta luftuar këtë krim. Këto ndryshime përmbajnë procedura më të shpejta, tha zëdhënësi i Vatikanit. Kështu, priftërinjtë që abuzojnë seksualisht me handikapët apo të sëmurët mendorë të rritur, do të trajtohen njëlloj si ata që abuzojnë me të miturit. Denimi për të tilla krime tani kalon nga 10 deri në 20 vjet. Po ashtu do të cilësohet si krim edhe pedopornografia, ose shpërndarja e materialeve pornografike. Po ashtu, sipas këtyre ndryshimeve tani edhe avokatët dhe prokurorët laikë mund të jenë pjesë e gjykatave kishtare, të formuar deri tani vetëm nga fetarë, që do të gjykojnë rastet e pedofilisë mes mureve të kishës apo institucioneve katolike. Ndërkaq, për raste të rënda, Vatikani me vendim të Papës mund ta shpallë menjëherë priftin fajtor. Selia e shenjtë modifikon me këto risi dokumentin “Delicta Gravoria” të vitit 2001, i dalë në kohën kur Gjon Pali II ishte Papë, ndërsa Joseph Ratzinger kardinal. “Këto ndryshime parashikojnë procedura më të shpejta për të përballuar me efikasitet situata më urgjente dhe më të rënda”, tha zëdhënësi i selisë së shenjtë, Federico Lombardi.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›