Marrëveshje për promovimin e një kartoline turizmi
Universiteti “Pavarësia” dhe Bashkia e Vlorës ka nënshkruar dje akt marrëveshjen për studimin, redaktimin dhe promovimin e një plani rikuperimi për qendrën historike të Vlorës. Qëllimi i këtij pakti është ruajtja dhe vlerësimi i një pasurie arkitektonike dhe identifikuese që gëzon qyteti i Vlorës. Kjo iniciativë ka ardhur si pasojë e ekzistencës së ndërtesave të stilit italian të viteve ’20-’40, në qendër të këtij qyteti. E megjithatë një tjetër faktor është edhe synimi për të nxjerrë në pah potencialitetin ekonomik lidhur me promovimin turistik të territorit vlonjat. “Në kuadrin e aktiviteteve dhe partneritetit me këto dy institucione të rëndësishme në qytetin e Vlorës, jemi sot këtu për të prezantuar një hap të ri të një bashkëpunimi konkret, i cili vjen si fryt i një iniciative të përbashkët të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë, të Universitetit privat “Pavarësia”, të departamentit të urbanistikës dhe Bashkisë Vlorë, e cila është angazhuar me anë të departamentit të saj të “Planifikimit urban”, tha Shpëtim Gjika, kryetari i Bashkisë së Vlorës. Sipas tij, pas një pune intensive të grupeve të punës është arritur në një konkluzion të përbashkët, që do të materializohet me një plan të përbashkët, që konsiston në identifikimin dhe rivitalizimin e objekteve historike të qendrës kulturore të qytetit të Vlorës. “Ky është një hap i rëndësishëm për qytetin tonë, në mënyrë të veçantë për unifikimin e Vlorës, në vendosjen e piketave të një trashëgimie kulturore, që ky qytet të jetë jo vetëm atraktiv në vlerat natyrore, por edhe në vlerat që janë evidentuar dhe trashëguar vite më parë. Ne kemi për detyrë t’i ruajmë dhe t’i nxjerrim në pah këto vlera, që realisht i kërkon komuniteti dhe kultura jonë qytetare”, tha Gjika. Nga ana tjetër, rektorja e Universitetit “Pavarësia”, Arta Musaraj, e vlerësoi këtë si një bashkëpunim të frytshëm, por edhe si një marrëveshje të rëndësishme, të konkretizuar në një kartolinë, nëpërmjet së cilës Vlora do të mund të përfaqësohet në vijimësi. Kjo marrëveshje u nënshkrua nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë.
#