E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatikani miraton parakushtet për pranimin e besimtarëve anglikanë në gjirin e tij

Ati i Shenjtë, Benedikti XVI miraton Kushtetutën Apostolike, për t’iu përgjigjur kërkesës së besimtarëve anglikanë që dëshirojnë të hyjnë “në bashkim të plotë” me Kishën katolike

Benedikti XVI miratoi një Kushtetutë Apostolike, që do të botohet së shpejti, për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta të priftave e besimtarëve anglikanë që dëshirojnë të hyjnë “në bashkim të plotë e të dukshëm” me Kishën katolike. Kështu njoftoi dje paradite, kardinali Wiliam Levada, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për doktrinën e fesë, gjatë një takimi në Sallën e Shtypit të Vatikanit të përqendruar në marrëdhëniet me anglikanët.

Kardinali Levada shpjegoi se Ati i Shenjtë Jozef Ratzinger ka vendosur një strukturë kanonike që “parashikon një bashkim korporativ përmes themelimit të Ordinariateve (Dioqezave) Personale, që do t’u mundësojnë besimtarëve anglikanë të hyjnë në bashkimin e plotë me Kishën katolike”, duke ruajtur elementet e “trashëgimisë e të pasurisë shpirtërore e liturgjike të veçantë anglikane”. “Kisha katolike - shtoi kardinali Levada - dëshiron kështu t’u përgjigjet kërkesave të shumta që i janë paraqitur Selisë së Shenjtë nga ana e grupeve të besimtarëve anglikanë, të ardhur prej viseve të ndryshme të botës. Kushtetuta Apostolike, e cila do të botohet së shpejti, përfaqëson një përgjigje të “arsyeshme e madje të domosdoshme ndaj një fenomeni global, duke ofruar një model të vetëm kanonik për Kishën e gjithmbarshme që i përshtatet situatave të ndryshme lokale”. E kardinali Levada shtoi: “Një model i tillë parashikon mundësinë e shugurimit të priftave të martuar në bashkësinë anglikane si meshtarë katolikë. Arsyet historike dhe ekumenike nuk lejojnë shugurimin e burrave të martuar për ipeshkëv si në Kishën katolike e po kështu edhe në atë ortodokse. Prandaj Kushtetuta Apostolike përcakton se në krye të ordinariatit mund të jetë ose një prift ose një ipeshkëv i pa martuar”.

Ordinariatet apo Dioqezat do të themelohen, sipas nevojës,vetëm pas një këshillimi me Konferencat ipeshkvnore lokale, e strukturat e tyre në një farë mënyre do të jenë të ngjashme me Ordinariatet (dioqezat) Ushtarake. Një rëndësi e posaçme do të ketë mes tjerash edhe përgatitja e seminaristëve: “Seminaristët e Ordinariatit do të përgatiten bashkë me seminaristët e tjerë katolikë, megjithëse Ordinariati do të mund të hapë shtëpi formimi për t’iu përgjigjur nevojave të veçanta të formimit sipas trashëgimisë anglikane”. Në këtë mënyrë - lexohet në deklaratën e Kongregatës së Doktrinës së Fesë - Kushtetuta Apostolike kërkon të krijojë një drejtpeshim mes “interesit për ruajtjen e trashëgimisë së çmueshme anglikane liturgjike e shpirtërore dhe shqetësimit që këto grupe e kleri i tyre të jenë të përfshirë në Kishën katolike”. Papa - përfundoi kardinali Levada -shpreson që “priftërinjtë dhe besimtarët anglikanë që e dëshirojnë bashkimin me Kishës katolike” të gjejnë në strukturat kanonike “mundësinë për t’i ruajtur ato tradita anglikane që janë të çmueshme për ta e në përputhje me fenë katolike”.

Sinodi i Ipeshkvijve për Afrikën paraqetet nismën për paqen në rajonin e Liqeneve të Mëdha/Sinodi i Ipeshkvijve për Afrikën, i cili vazhdon në Vatikan mbi temat e pajtimit, drejtësisë e paqes po shkon drejt përfundimit. Dje, gjatë sesionit të 17-të të përgjithshëm, u paraqit lista e propozimeve përfundimtare. Dokumenti, akoma i përkohshëm, do të votohet në ditët e ardhshme. Në praninë e Papës Benedikti XVI, etërit sinodalë bënë edhe një thirrje për paqen në rajonin e Liqeneve të Mëdha. Në letrën e presidencës së Sinodit për këtë qëllim, drejtuar edhe ipeshkvijve të Somalisë, ku kohët e fundit janë kryqëzuar të krishterë, thuhet se “Mos vra” është një nga Urdhërimet e Tënzot të shkruara në zemrën e njeriut. Gjuha e armëve të zëvendësohet me atë të dialogut. Edhe në propozimet përfundimtare, paqja e pajtimi janë fjalët kryesore. Sinodi aktual përkufizohet si “Sinodi i Rrëshajve”. Etërit sinodalë reflektojnë mbi dialogun ekumenik e ndërfetar, në veçanti me Islamin. Kërkohet respektimi i lirisë së kultit dhe ftohen përgjegjësit e popujve të mos etnicizojnë ose politizojnë fenë. E më tej: të kthehen kishat e pronat e konfiskuara të Kishës, t’i thuhet “jo” fondamentalizmit. I rëndësishëm edhe raporti me Fetë Tradicionale Afrikane, për të cilat kërkohet një studim më i thellë e krahasimi me teologjinë. Por Kisha dënon ashpër praktikat e ekzoterizmit dhe të magjisë. Më pas, etërit sinodalë kërkojnë që të ndalet “ikja e trurit”, duke ngritur qendra të vlefshme akademike, urohet falja e borxhit të jashtëm dhe mbështetet mikrokrediti.

Duhet studiuar Doktrina Shoqërore e Kishës, theksojnë ipeshkvijtë, të cilët i japin hapësirë edhe mbrojtjes së ambientit, ndalimit të trafikut të armëve, mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve dhe etikës së globalizimit. Në Propozimet përfundimtare urohet që demokracia të përhapet në të gjithë Afrikën, të garantohen zgjedhje të lira e liderët fetarë të qëndrojnë jashtë konflikteve. Dokumenti, që është akoma i përkohshëm, bën thirrje për mbrojtjen e familjes, shpesh në rrezik nga përhapja e mentalitetit abortist dhe nga mosvlerësimi i amësisë. Po mendohet për një Federatë Panafrikane të familjeve katolike. Flitet edhe për problemin e Sidës, duke nënvizuar se ajo nuk është thjesht çështje farmaceutike, por temë e zhvillimit të gjithanshëm dhe të drejtësisë. Ipeshkvijtë kërkojnë për të sëmurët afrikanë, të njëjtin trajtim si për të sëmurët e pjesës tjetër të botës.

Etërit sinodalë i kushtojnë vëmendje dënimit me vdekje, i cili duhet hequr krejtësisht, dhe kërkojnë që të trajtohen me dinjitet të burgosurit. Duke folur për Kishën në veçanti, kërkohet më tepër vëmendje për seminaristët e për meshtarët, që të jenë imazh i gjallë e i vërtetë i Krishtit e të jetojnë duke respektuar rregullat e Kishës. Propozimi i fundit ka të bëjë me komunikimin: kërkohet që Kisha të jetë më e pranishme në media dhe që gazetarët të kenë formimin e nevojshëm etik.

Imzot Miliore në OKB: të respektohen traditat dhe kultura e popullsive indigjene/Është e nevojshme të merren në konsideratë nevojat shoqërore, personale dhe shpirtërore të rreth 370 milion indigjenëve që jetojnë në botë: kjo është thirrja, që Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit, kryeipeshkvi Çelestino Miliore i drejtoi Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbledhur në sesionin e saj të 64-t. Ai nënvizoi rëndësinë që ka kuptimi dhe respektimi i traditave kulturore të këtyre popullsive. Në kohë ndryshimesh e krize ekonomike, theksoi imzot Miliore, duhet favorizuar një model zhvillimi, që të shmangë shkatërrimin e tokës dhe shfrytëzimin e ambientit për interesa ekonomike afatshkurtëra. Industria nuk duhet të veprojë për të dëmtuar të drejtat e popullsive indigjene, të cilat kanë pasur gjithnjë një respekt të madh për Gjithësinë dhe për jetën njerëzore. Edhe dialogu kulturor me to nuk duhet bazuar mbi logjikën e mbizotërimit. Sipas Vëzhguesit të Selisë së Shenjtë në OKB, akoma duhet bërë reforma agrare për këto popullsi, duhet investuar në infrastruktura, ujitje, në trasport e teknologji. Së fundi, imzot Miliore foli për luftën kundër Sidës, temë e Ditës botërore të popullsive indigjene për vitin 2009. Për të fituar kundër kësaj pandemie, tha ai, duhet më shumë edukim për të parandaluar transmetimin e virusit, duke përfshirë bashkësitë lokale e duke respektuar vlerat morale të bazuara në natyrën e njeriut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›