Edvinistët janë europianistë hileqarë

Partia Demokratike është deklaruar që në fillim të proceseve demokratike kundër diktaturës, për një dashuri të lashtë dhe të natyrshme ndaj Europës. Këtu duhet hapur një kllapë për të shtuar se për cilën Europë e kemi fjalën. Natyrisht jo për atë të tryezave antishqiptare të 1913-s, për ndarjen e tortës nën ndikimin e Rusisë dhe të aleatëve të saj fitimtarë në Luftën I Botërore. E kemi fjalën për Europën e mbarë të Alçide De Gasperit, Shumanit dhe të Adenauerit. Regjimi tiranik i Enver Hoxhës, i ngërthyer që në fillim të herës nën kthetrat antishqiptare të Jugosllavisë së Titos, u pozicionua hapur kundër kësaj Europe. Me dy gishtat lart, lëvizja e fuqishme shqiptare kundër diktaturës, me në krye tribunët e demokracisë Dr. Berishën e intelektualëve dhe Azem Hajdarin e studentorëve, i drejtuan mitingjet e papërmbajtshme, nën brohoritjet e zjarrta të manifestuesve: “E duam, e duam Shqipërinë, si e gjithë Europa”. Kjo ishte një thirrje e sinqertë e masave shpërthyese kundër diktaturës enveriste, kundër Ramizit dhe lakenjve të tij që bënë çmos që t’i zgjatej ymri sa të mundej kësaj së keqeje, kundër emrit të Enverit në Universitetin Shtetëror të Tiranës, kundër statujave të diktatorit dhe, natyrisht, kundër komunizmit.
Kuptohet se, qysh në fillim, forcat e errëta të përqendruara tek “vullnetarët e Enverit”, tek mëkatarët e ish-regjimit në luftën e tyre për ekzistencë, në nostalgjikët që kishin gëzuar privilegjet për shërbimet çnjerëzore të tyre duke qenë në majën e mprehtë të shpatës së luftës së klasave të drejtuar nga Institucioni famëkeq i Nexhmijes, për konsolidimin e antipluralizmit përmes një dhune të pamëshirshme, - të gjithë këta antidemokratë, pra, - ishin kundër Europës. Kundër kësaj, regjimi i përkohshëm i Ramiz Alisë e tregoi veten edhe në orvatjen për të penguar (pa sukses, tanimë) ortekët e mbushjes së ambasadave dhe shpërthimit të kufijve, për t’i thënë njëherë e mirë lamtumirë atij regjimi të urryer.
Por forcat e errësirës në vendin tonë ishin më të fuqishme se në vendet e tjera të Lindjes komuniste. Në këto vende ishte jetësuar me kohë ajo dukuri frymëmarrëse që e kishte emrin destalinizím (e sanksionuar në Kongresin XX të PK(b) të BS). Ndërsa në këto vende thuajse u legalizua disidenca dhe u ndaluan dënimet politike, te né në të gjitha vitet gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, nuk reshtën ndëshkimet me vdekje në një ritëm të përshpejtuar, gjer në vigjilje të proceseve demokratike, kur vareshin poetët për poezitë e pabotueshme dhe për ditarët intimë . Enverit dhe, pas 1985-s, Ramizit, u duhej stalinizmi, ndonëse e kishin të qartë se Stalini ishte antishqiptar (Njihej fjala e tij e gëlltitjes dhe përdorimi i Shqipërisë si plaçkë tregu). Enveri nuk e bëri destalinizimin jo për ruajtje parimesh, por për ruajtjen e karrigeve të tij dhe të injorantëve në Byronë Politike, të cilët i kishin mbetur, pas krasitjes së madhe. Ky terror tridhjetëvjeçar pas zhdukjes së kultit të Stalinit, pati ndikimin rrënimtar në krijimin e një aradhe të tërë fanatikësh dhe nostalgjikësh të sëmurë, krejtësisht dhe totalisht antieuropianë. Kjo koortë antidemokratike ishte kontingjenti i ballit të mësymjes për zhvatjen me dhunë të regjimit institucional në vitin e zi 1997. Bash ky kontingjent përbën tani forcën mujshare të Edvin Ramës që të bëjë ziafete komunistësh në Pezë, të jetë besëshkalë ndaj nenit 28 të PS-së për dorëheqjen si humbës në zgjedhje, të vërë kushte (në të vërtetë të bëjë ultimatume) për të ndërprerë bojkotin, pavarësisht se ndërkombëtarët janë të njëzëshëm për absurditetin e këtij bojkoti marroq. Këtu po i nxjerr brirët antieuropianizimi i kërkuesve të pushtetit në tavolinë (pavarësisht se thonë që hapjet e kutive të votimit nuk synojnë ndryshim mandatesh, por çakllabani Spartak Ngjela po ua zbulon lakrat me marrëzitë e tij) dhe Arta Dade, ndonëse diplomate në opozitë, sulmon titullarin e lartë të AP-së së KE-së, Ëolfgang Grossrusk, se nuk përkrah aventurat rrugore të Edvinit. Diplomati në krye të instancave europianiste ia dha përgjigjen e merituar, por u përmbajt që t’i thoshte edhé: - Në ofiqin tim në Asamblenë Parlamentare të KE-së, mund t’ju kujtoj, zonja Dade, se nuk keni zbatuar Rezolutën e këtij Institucioni për dënimin e krimeve të komunizmit!
*
Më 12-14 qershor të vitit 2000, në Vilnius të Lituanisë u mbajt Kongresi Ndërkombëtar “mbi vlerësimin e krimeve të komunizmit në sh. e 20-të”. Ndër 38 delegacione, ishin të pranishëm përfaqësues të Kongresit Amerikan, deputetë të Anglisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Kanadasë etj. Foli edhe e shoqja e disidentit rus, Andrei Sakharovit. U vendos të bëhej evidentimi i kriminelëve komunistë dhe, për të ardhmen, të kalohej në një Nuremberg penal për totalitarizmin komunist. U mbajt një manifestim madhështor para parlamentit, në të cilin mijëra e mijëra veta protestuan kundër tolerancës ndaj komunistëve, që murtaja komuniste të groposet përfundimisht dhe Bota të jetojë në paqe e në liri.
Protesta kundër tolerancës ndaj komunistëve, që sapo u tha se u shpreh në Vilnius, pati vend edhe te ne, kur u vra heroi i demokracisë, Azem Hajdari. Pushtetarët ia mbathën dhe e lanë pushtetin, nga revolta mbarëpopullore. Për të mbuluar turpin, nxorën “përligjjen” e pabesueshme, se ishte një grusht shteti! - duke shpërfillur spontanitetin e revoltës kundër dhunës për eliminimin e figurave të demokracisë dhe duke e ditur se grushtet e shtetit organizohen në afate kohore dhe nuk bëhen aty për aty, si ajo që ndodhi kundër një dhune politike të pashembullt.
Duke iu rikthyer poshtërimit që Dade i bëri funksionarit të lartë të AP-së së KE-së, të përfaqësuar në personin e Grossruskut, të përftohet pyetja: A do të kishte argument kundërveprimi shoqja Dade për atë shpërfillje ndaj Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KE-së, me ovacionet e diktaturës në Pezë, me fotot e Enver Hoxhës në institucionet shtetërore në kohën kur e kishte pushtetin PS-ja, me legalizimin e partive totalitare enveriste, e të tjera, e të tjera?
Ish-diplomatja Dade e cilëson Grossruskun si mik të Berishës. A mos duhet të ishte, vallë, mik i Edvinit, me të gjitha veprimet e tij kundër titullarëve të lartë europianë, si në rastin e numrit 2 të PS-së, Gramoz Ruçit, që ka thënë troç e shkoqur se “nuk pyesim për të huajt”? Kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së është shprehur édhe se deklaratat e selive diplomatike “nuk e trembin selinë rozë në qëndrimin e saj”. Por mos të harrojë krahu ekstremist i PS-së se Rezolutat europiane mund të shpërfillen për njëfarë kohe, por jo definitivisht.
*
U rikthehemi deklaratave ndërkombëtare kundër bojkotit me kërkesa në formë ultimatumesh. Nga njëqind deklarata të tilla kjo seli rozë ka nxjerrë vetëm njërën, që i vjen pas oreksit: atë se numërimi në ndonjë qendër votimi ka qenë i dobët. Po OSBE-ja që është shprehur, më 14 shtator, se “nuk ka prova që vërtetojnë se rezultati i zgjedhjeve është i manipuluar”? Po prononcimi i 17 shtatorit nga misioni i SHBA-ve se “votimi ka përfaqësuar vullnetin e popullit” dhe se ky mision sugjeron që të zbatohen udhëzimet përmirësuese për zgjedhjet e ardhshme? Po shprehja e Këshillit të Europës, në raportin e vet, se “politizimi ka lënë në hije edhe arritjet e vërteta (21 shtator)? Anarkistit të pseudokultit të ligjit, Spartak Ngjelës duket se ia prish gjakun ai togfjalëshi i lënies nën hije të arritjeve të vërteta! Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, ia ka vënë gishtin në plagë veprimeve edviniste, teksa flet për kostot për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së: “ Bojkoti është pengues në këtë drejtim, sepse do të cenohen disa reforma”. Por tanimë është qartësuar se E. Rama as që do t’ia dijë për hyrjen e vendit tonë në Bashkimin Europian. Ai ka hallin e uzurpimit të pushtetit, duke kujtuar se jemi në kushtet e vitit 1997! Kur përpjekjet e europianistëve shqiptarë do të kurorëzohen me sukses atëherë, po, do të dalë Edvini si flamurtar, se janë meritat e partisë së tij (dhe të atij vetë në radhë të parë, kuptohet!) që e bënë kaq të shpejtë këtë ngjarje madhore për realizimin e aspiratave të hershme të popullit tonë. Arta Dade do të kërkojë sërish ndërrimin e pushtetit që ajo të bëhet ministre e Jashtme, për të jetësuar marrëdhëniet sa më të mira (!) me institucionet ndërkombëtare. . . Do të supozohen të paqena edhe buçitjet e Ruçit, “që nuk pyet për ndërkombëtarët!”. Do të vihen në jetë edhe ëndrrat haluçinante të Ngjelës për t’u bërë ministër i Drejtësisë (= i padrejtësisë)! Si anarkist, doemos që e meriton këtë post!
Bojkotet që kanë zemëruar ndërkombëtarët e që Ditmir Bushati kërkon t’i paraqesë, tani, si kërkesa, për të larë fjalën e rëndë me ujë trëndafili, në të vërtetë janë ultimatume. Janë gjashtë: Ne s’hyjmë në parlament, nëse nuk përfundon gjyqi ndaj vrasjes së të ndjerit Xhindi! PD-ja vendos për këtë? Duhet të ndërhyjë në institucionet e pavarura të drejtësisë? Ose: Ne s’hyjmë në parlament pa u hapur kutitë! PD-ja do të urdhërojë KQZ-në, që e kishte këtë tagër, por edhe ajo vetë s’e ka më?
Por mllefet e papërmbajtura janë drejtuar edhe kundër LSI-së. Me fjalorin e shthurur edvinist, ajo akuzohet edhe për tradhti. “Ajo është e majtë”. Sigurisht. Por ajo e ka në emblemën LSI, Integrimin. Është një pikëlidhje e fortë për bashkëpunim me PD-në. Është deklaruar se interesat e Shqipërisë janë mbipartiake. Kjo qenka tradhti? De Goli qeverinë e parë e bëri bashkërisht me majtistët e Moris Torezit. Po ashtu, De Gasperi qeverinë e parë e bëri bashkërisht me majtistët e Toliatit. Askush nuk bëri këtë potere që po bëjnë edvinistët kundër Ilir Metës, që nuk është aspak kundër Europës, siç është Edvini, që as mundohet ta fshehë këtë fobí antieuropiane. Ndërsa E. Rama nuk shpalosi asnjë program gjatë fushatës, Ilir Meta kishte në programin e tij dy pika thelbësore, që janë të përputhshme me aspiratat e PD-së, të shprehura në programin e LSI-së: Integrimin europian dhe lehtësimin ndjeshëm të varfërisë, përmes punësimit, në shifra konkrete. Atëherë ky bashkëpunim është jo vetëm i përligjshëm, por edhe në dobi të vendit. Ky bashkëpunim është i frytshëm edhe për liberalizimin sa më shpejt të vizave. Këto i interesojnë popullit, jo bojkotet ultimative, për interesa vetjake të Edvin Ramës!
Njëri ndër protagonistët më të guximshëm të LMN-së (Lëvizjes për mendimin ndryshe), Elmaz Sherifi, i është përgjigjur në këtë mënyrë pyetjes nëse është një strategji e re e PS-së ajo që, me anë të bojkotit, të largojë vëmendjen nga humbja zgjedhore: - “Strateg në këto zgjedhje u tregua Doktori. Kushdo e mban mend kur Doktori thoshte: Do të pranojmë sistemin zgjedhor që do Rama. Do bëjmë ndryshimet kushtetuese që do Rama dhe kodin zgjedhor do ta bëjmë si e do Rama”.
Kjo do të thotë, në një mënyrë të figurshme, se iu la topi Edit që të gjuajë në pikën e 11-metërshit. Ai gjuajti për laraska! Dhe tani kërkon fajtorët për humbjen. Madje i kërkon këta edhe te ndërkombëtarët euroatlantikë. Kjo nuk është e papritur. Se komunistët nuk i kanë dashur kurrë europianistët demokratë. E kanë trashëgim nga Enveri. ...