E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Serbisë lakmon metodat e Rugovës

Deklarata e djeshme e ministrit serb të Punës dhe Politikave Sociale Rasim Lajic, është ftesë e ripërsëritur që jo-shqiptarët dhe serbët në Kosovë të mos dalin në zgjedhje. Por kësaj here as Qeveria serbe, as ministri i Serbisë Lajic nuk u mjaftuan vetëm me kaq dhe kjo është ajo që lë mbresa interesante. Ata u munduan të jenë kreativ. Kështu Lajic ka porositur jo-shqiptarët dhe serbët e Kosovës që të mos dalin në zgjedhje, por të përdorin metodat e ish liderit të shqiptarëve, tani të ndjerë Ibrahim Rugova, përderisa Kosova ishte nën regjimin e Milosheviqit. Përkundër përpjekjes, as kësaj radhe qeveritarët serb nuk janë kreativ. Kjo është thirrje që në përmbajtje fton për të kopjuar një metodë veprimi politik e njohur tashmë për të gjithë në rajon e më gjerë. Edhe pse goxha i vonuar, kjo mund të merret si pranim e besa edhe lavdërim nga qeveritarët serb se kjo metodë në Kosovë ka funksionuar. Prandaj Lajic do që t’i sheh të gjithë të tjerët, përveç shqiptarëve (çudi si nuk i ka ftuar edhe shqiptarët për bojkot) të jenë efikas në veprimet e tyre. Por ka ca “imtësi” të cilat qeveritarët serb e sidomos Rasim aga, harrojnë kur bëjnë një propozim të tillë. E para është se përveç tjerash, metoda e bojkotit te shqiptarët ka mundur të jetë e suksesshme edhe pse një formë e tillë e veprimit është e njohur në qytetërimin e tyre të lashtë, konkretisht në të drejtën e tyre zakonore. Leçitja është institucion juridik, mekanizëm funksional që është përdorur për të lëçitur ata që kanë vepruar në kundërshtim me rregullat doket dhe zakonet e jetës shqiptare. Pas rrënimit të Murit të Berlinit shqiptarët leçitjen e kanë futur në përdorim së pari kundër bashkëkombëseve të vetë, që janë bërë bashkëpunëtor të regjimit serb, që ushtronte dhunë kundër të gjithë shqiptarëve dhe çdo gjëje shqiptare. Më pas kjo metodë veprimi, nga disa intelektual, ku për shumë çka do të shquhet I. Rugova, të organizuar politikisht, ku do të theksohet LDK-ja, është ngritur në shkallë tjetër dhe është përdorur duke leçitur jo vetëm subjektet fizike pra individin, por edhe subjektet e ndryshme politike, kulturore, sportive e të tjera të Serbisë në atë kohë. Kjo nuk është e eksportuar as nga India as nga lideri paqësor Gandi. Këtë serbët nuk e kanë, as që e kanë pasur ndonjëherë në kulturën e tyre. Ata thjeshtë nuk dinë të veprojnë kështu apo thënë ndryshe me të tilla metoda ata nuk mund të jenë efikas sa edhe shqiptarët. Shpjegimi është e thjeshtë, ne prore ishim refuzues të pushteteve e shteteve të ndryshme, sepse ato pothuajse kurrë nuk ishin tonat gjë që nuk ndodhë me serbët.

E dyta është se shqiptarët kur praktikuan metodën e bojkotit aktiv, kishin punë me një hamshor politik. Ky ishte Sllobodan Milosheviqi. Falë pragmatizmit shqiptarë dhe urtisë së tyre, që u shpreh atë kohë në politikën që u zbatua, për të mos vepruar me nguti, Evropa u bindë se kush ishte Milosheviqi duke parë krimet që bënte ai në Kroaci e sidomos në Bosnje. Kur i erdhi radha Kosovës, Evropa dhe e tërë bota e dinin pak a shumë kush ishte Milosheviqi dhe cilat ishin metodat e veprimit të Serbisë. Por nuk ishte puna vetëm e një lideri të krisur. Ashtu sikundër thoshte F. Niqe “si njerëzit edhe popujt çmenden nganjëherë” ashtu ne u ballafaquam me popullin që në ato kohëra nuk ishte n’terezi. E si e bëri këtë kalkulim mendor, ministri serb Lajic, kur erdh në përfundim që t’i këshilloj jo-shqiptarët të përdorin metodat e I. Rugovës. Ku e sheh Lajic sot ngjashmërinë ndërmjet dhunës milosheviqiane dhe punës së institucioneve të Kosovë. Marrëzia qëndron në atë se ky iluzionist e sheh prandaj edhe e bënë këtë krahasim. Këtë e sheh edhe qeveria serbe. Me këtë qasje ata duan t’i bindin edhe gjithë qytetarët e vet. E mira është se me këtë ata nuk mund ta bindin askënd. As Evropën, as SHBA-të, as edhe qytetarët e vet. Thjesht edhe me këtë rast fiton pragmatizmi shqiptarë. Nuk do të kaloj shumë kohë e një tjetër ministër serb i një tjetër qeverie serbe, do të preferoj e lakmoj pragmatizmin shqiptarë dhe do t’i duhet të kërkoj që të njihet realiteti i ri në Kosovë e me këtë edhe njohja e shtetit të Kosovës. Prapë do të ngadhënjej pragmatizmi shqiptarë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›