E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku që po mbin përballë krijesës evropiane “Bosnjë-Hercegovinë”

BE-ja dhe SHBA-të, sot, në kampin ushtarak Butmir, afër Sarajevës, do të mbajnë edhe një takim me liderët politikë të Bosnjës, por nuk ka shumë shpresa për arritjen e një marrëveshjeje mbi ndryshimet e kërkuara kushtetuese. Kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, ka thënë të hënën pasdite se ka hedhur poshtë gjithë pakon e ndryshimeve kushtetuese, e cila është ofruar nga zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë. “Nuk kemi pasur dilema dhe as hamendje për të refuzuar dhe për të thënë se është një ofertë joserioze, e cila do të mund ta dramatizonte situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe kjo nuk i kontribuon fare stabilizimit të situatës. Natyrisht, mbetemi të përkushtuar në bisedimet mbi temat e ndryshme dhe do të jemi në secilin takim që do të ftohemi për ta bërë të ditur qëndrimin tonë”, ka thënë Dodik. Takimin e djeshëm në Butmir do ta kryesojë ministri i Jashtëm suedez, Karld Bildt, vendi i të cilin kryeson aktualisht BE-në, dhe zëvendësi i sekretares amerikane të shtetit, Xhejms Stajnberg. I pranishëm do të jetë edhe komisari evropian për zgjerim, Oli Ren. Ky i fundit ka deklaruar se refuzimi i pakos së Butmirit rrezikon perspektivën evropiane të Bosnjës. "Politikanët në Bosnjë e Hercegovinë duhet të jenë të vetëdijshëm se ky është një moment kyç për vendin. Nëse nuk do të ketë përparime në përmbushjen e kushteve për tranzicionin e Përfaqësuesit të Lartë, evoluimin kushtetues, me çka vendi do të përfitonte fillimisht kredibilitet për statusin e kandidatit, e pastaj anëtarësim të plotë, atëherë vendi rrezikon të mbetet në një formë të anëtarësimit të pjesshëm”, ka thënë Ren përpara gazetarëve. Ndërkaq, zëvendëssekretari amerikan i shtetit, Xhejms Stajnberg, ka tërhequr vëmendjen për përfitimet që sjell pakoja. "Pakoja do të përfshijë çështjet që do t’i mundësojnë shtetit për të pasur pushtet, për të përmbushur me efikasitet kriteret për anëtarësim në BE dhe NATO. Kjo është një pako dhe nuk mund të merret vetëm një pjesë e saj dhe të hidhet pjesa tjetër. Bëhet fjalë për një propozim të balancuar mirë”, ka thënë Stajnberg. Takimi në Butmir është i dyti me radhë që mbahet në këtë nivel të lartë ndërkombëtar. Pakoja mbi të cilën po bisedohet, është cilësuar si thelbësore për zhbllokimin e proceseve që do të mundësonin integrimin evropian të Bosnjës. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›