E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, vizitë zyrtare në Gjermani, me ftesë të kancelares Merkel



Kryeministri Berisha u nis dje me ftesë të kancelares gjermane Anxhela Merkel, për një vizitë dyditore në Republikën Federale Gjermane, i shoqëruar nga një delegacion, pjesë e të cilit janë ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, ministri i Financave Ridvan Bode dhe anëtarë të kabinetit të kryeministrit. Kryeministri Berisha do të pritet me një ceremoni nga kancelarja Merkel. Gjatë bisedimeve me kancelaren Merkel, temë kryesore do të jenë marrëdhëniet bilaterale në të gjitha fushat, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE, si dhe çështjet e rajonit. Gjatë vizitës së tij në Gjermani, kryeministri Berisha do të ketë takime edhe me ministrin e Jashtëm Federal, Shtainmaier dhe me ministra të tjerë të kabinetit. Kryeministri do të kryejë gjithashtu dhe një sërë takimesh me përfaqësues të biznesit gjerman. Një takim i veçantë do të jetë ai me fondacionin “Konrad Adenauer”, me përfaqësuesit e të cilit do të diskutohet bashkëpunimi mes këtij fondacioni dhe Shqipërisë. Kryeministri Berisha do të vizitojë edhe Esenin e do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e sipërmarrësve të mëdhenj në këtë qytet.

Gjermania pritet të ratifikojë brenda muajit Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Presidenti i Parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Ole von Beust, në një letër dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, konfirmon se brenda dy javësh Bundestagu gjerman do të nisë procedurën e ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Përmbyllja me sukses e negociatave të pranimit simbolizon përpjekjet dhe arritjet e mëdha që vendi juaj ka bërë vitet e fundit. Ne mirëpresim së afërmi vendin tuaj si një vend të ri anëtar të Aleancës”, - shkruan në letrën e tij presidenti Ole von Beust. Më tej ai falënderon kryetaren e Kuvendit për letrën që ajo, së bashku me kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç, i kanë dërguar Parlamentit gjerman për ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ndërkohë, pas ratifikimit të këtij protokolli nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria, Letonia dhe Lituania, kryetares së Kuvendit i kanë mbërritur letra konfirmimi për një ratifikim në një kohë të shkurtër nga Senati i Francës, Parlamenti i Spanjës, Holandës, Bullgarisë, Polonisë, Danimarkës etj. Ndërsa një ditë më parë, kryetari i Senati të Çekisë, zoti Sobotka, gjatë vizitës së tij në Tiranë, në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se Senati çek do ta ratifikojë këtë protokoll brenda muajit tetor.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›