“Vatra”: Interesat e kombit mbi interesat e partive

Federata Pan-shqiptare në Amerikë “Vatra” duke iu referuar situatës paszgjedhore në Tiranë i ka bërë apel qytetarëve të tregohen të përmbajtur dhe të mendojnë më shumë për interesat e Kombit se sa ato të partive politike.
Në një deklaratë për shtyp “Vatra” thekson se i ka ndjekur këto zgjedhje me vëmendje të veçantë, duke shpresuar se demokracia do ta fitonte këtë betejë por fatkeqësisht sipas saj nuk ka ndodhur kështu.
“Pjesa më e madhe e shqiptarëve në emigracion, mbetën të zhgënjyer nga klasa politike, e cila vazhdon të qëndrojë një hap mbrapa qytetarëve, të cilët e fituan betejën zgjedhore deri në mbylljen e votimeve, ndërsa më pas nisi zhgënjimi nga militantizmi partiak dhe acarimi i pas klimës zgjedhore. Tabloja mjerane që sillnin ekranet edhe këndej Atlantikut, ku deputetët zvarriteshin nëpër mure e hekurat e rrethimeve të vendnumërimeve të votave, kërcimi mbi shpinat e kokat e policëve, akuzat e ndërsjellta, sharjet, kërcënimet, krijoi tensionin, zgjati procesin dhe paragjykoi rezultatin” thuhet në deklaratën e Vatrës
Më tej Vatra shprehet e shqetësuar për tensionin dhe dhunën e ditëve të fundit në Shqipëri, duke paralajmëruar një 97-të e dytë do të ishte fatale për Shqipërinë.
“Bllokimi i rrugëve Kombëtare, po na kthen 20 vite mbrapa, ndërkohë që synohet integrimi Europian. Me keqardhje konstatojmë se, me veprimet e veta me ngarkesa të thella partiake, me dyshimin e madh tek pala kundërshtare, me retorikat agresive emocionale, me thirrje per kryengritje, klasa politike po e hedh vendin në kaos” thekson Vatra.
Federata Pan-shqiptare në Amerikë “Vatra” i ka bërë thirrje politikanëve të bëjnë kujdes pasi sipas saj nëse do të ndodhë diçka ata do të gjykohen nga historia për dëmin e madh që I kanë shkaktuar, jo vetëm Shqipërisë, por të gjithë Kombit shqiptar.
“Ju lutemi, ndaleni zemrimin e qytetarëve, mos e ushqeni më tutje militantizmin e turmave sepse Shqipëria është më e shtrenjtë se partitë. Cilës parti i duhet një Shqipëri në anarki, një Shqipëri e rrënuar dhe në kaos? Një Shqipëri e tillë do t`u duhej vetëm armiqve të kombit tanë. Mosardhja e zotit Barroso në Shqipëri tregon se klasa politike e humbi një rast të artë për të marrë një ftesë si vend kandidat për Bashkimin Europian. Ajo që ikën nuk kthehet më pas, por në këto kushte rëndësi ka mosthellimi i krizës, pasojat e së cilës bien mbi qytetarët. Klasa politike në këto 20 vite tranzicion të pakuptimtë, nuk ka qenë në gjendje që të zgjidhë asnjë situatë të vështirë, pa arbitrimin e të huajëve. Edhe në këto zgjdhje ambasadorët u përpoqën që të ishin arbitra, por sërish problemi ka mbetur pezull. Mendojmë se kjo situate e gjen zgjidhjen duke iu referuar ligjeve, institucioneve, pavarësisht dobësisë së tyre, si dhe respektimit të shtetit ligjor” thekson Vatra.