E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vatra”, pas çdo kontributi të rëndësishëm të SHBA-ve për kombin shqiptar

30-04-2012 / Nga Sali Berisha*

Ne nderojmë sot Fan Nolin dhe Faik Konicën, Paskal  Aleksin dhe Lambi Çikozin, Elio Tromarën, Kosta Vasilin, Koço Kota e shumë të tjerë. Ne nderojmë sot këtu përpjekjet dhe kontributin e madh historik që kjo organizatë ka dhënë në pavarësinë e Shqipërisë.
Vatra dhe vatranët u shndërruan në një mbështetje të fuqishme të proceseve demokratike në Shqipëri. Në një mbështetje të fuqishme të përpjekjeve të shqiptarëve për liri në Kosovë...
Është një nder dhe privilegj i madh për mua, t’ju përshëndes ju sot në këtë 100 vjetor në emër të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve, t’ju uroj gëzuar këtë ditë, ditë të madhe për, ju diasporën dhe kombin shqiptar në tërësi. Ky 100 vjetor, është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, “Vatrën”, si vatër të lirisë së kombit shqiptar.
Themeluan “Vatrën”, si vatër të dritës të kombit shqiptar, themeluan “Vatrën” si vatër të shpresës së pashuar kombëtare. Ne nderojmë sot Fan Nolin dhe Faik Konicën, Paskal  Aleksin dhe Lambi Çikozin, Elio Tromarën, Kosta Vasilin, Koço Kota e shumë të tjerë, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan këtu dhe themeluan organizatën, të cilën gjeniu i mendimit shqiptar Fan Noli do ta pagëzonte dhe do të përzgjidhte për të midis të gjithë emrave, më të bukurin, më kuptimplotin, “Vatrën”.  Ne nderojmë sot këtu përpjekjet dhe kontributin e madh historik që kjo organizatë ka dhënë në pavarësinë e Shqipërisë. Nderojmë kontributin e madh dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që vatranët dhe diaspora në këtë vend dha, për themelimin e Kishës Autoqefale shqiptare, si bastion i fuqishëm i besimit të shqiptarëve, atdhetarisë së tyre. Ne nderojmë këtu kontributin e atyre qindra e mijëra shqiptarëve që erdhën në këtë vend një shekull më parë, një nga vendet më të varfra të botës, ndanë kafshatën e gojës me vëllezërit e tyre në Shqipëri, ndanë gjithçka me qeverinë e sapo krijuar shqiptare, derdhën gjak si luftëra lirie për konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë. Ne nderojmë sot kontributin e madh, që “Vatra” dha gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria ishte vendi i parë në Europë që do të pushtohej nga fashistët. Qeveria e vërtetë e saj ishte “Vatra”, e cila nuk rreshti për të bërë të gjitha përpjekjet dhe për të kontribuar për lirinë e shqiptarëve. Vatra dhe vatranët u shndërruan në një mbështetje të fuqishme të proceseve demokratike në Shqipëri. Në një mbështetje të fuqishme të përpjekjeve të shqiptarëve për liri në Kosovë, por sot është një ditë homazh e madhe për Vatrën dhe vatranët, për të gjithë shqiptarët që gjatë këtij shekulli punuan në këtë vend të madh u shndërruan me punën e tyre, reputacionin e tyre, në një faktor të fuqishme të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy kombeve dhe dy vendeve tona të mëdha.
Ne kremtojnë 100 vjetorin e Vatrës në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kur vështrojmë këto 100 vite, kanë qenë vitet, në të cilat kombi ka përjetuar drama dhe tragjedi të mëdha. Kanë qenë vite në të cilat kombi ka njohur pushtimet më të egra dhe diktaturat më mizore, por kanë qenë vite, në të cilat shqiptarët kanë bërë më shumë se kurrë në tërë historinë e tyre për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kanë qenë vite, në të cilat në të gjitha momentet më kritike të ekzistencës së tyre, ata ia kanë dalë të fitojnë, sepse kanë pasur prapa mbështetjen e fuqishme, përcaktuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas shpalljes së pavarësisë, projektet dhe planet e fuqive të mëdha koloniale të asaj kohe ishin për të shuar nga harta politike e Europës shqiptarët, por kështu nuk mendonin shqiptarët. Shqiptarët, kombi më i vjetër i rajonit, mendonin se ata duhet të kishin shtetin e tyre  dhe ishin të vendosur të luftonin dhe luftuan, sigurisht ndaj një konjukture botërore që synonte in-ekzistencën e kombit shqiptarë.
Beteja e tyre ishte e dëshpëruar, shqiptarët fituan, sepse presidenti i SHBA Willson, të cilin Noli do ta quante; “ky lis gjigand, në të cilin kombet e vogla ndërtojnë foletë e lirisë”, do të hidhte poshtë me përçmim ato klauzola të traktatit të Versajës, që synonin zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta e Europës. SHBA dha një kontribut të madh në ndërtimin e shtetit shqiptar, shkollat amerikane në Shqipëri u shndërruan në qendrat më të fuqishme të përgatitjes së inteligjencës teknike dhe në tërësi që duhet të vendoste Shqipërinë mbi bazat e dijes. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët luftuan  për liri dhe dinjitet në mënyrë të vendosur. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët shënuan njërin prej kapitujve më të ndritur të historisë së tyre kombëtare. Ata jo vetëm që nuk u treguan indiferentë ndaj barbarisë më të madhe, që kohërat kanë njohur, Holokaustin ndaj kombit hebre, por përkundrazi, bënë gjithçka që as edhe një qytetar i vetëm i këtij kombi, që ndiqej barbarisht nga nazistët, të mos u dorëzohej atyre.
Unë këtu po vij nga Uashingtoni, kryeqytet të cilin e kam vizituar shumë herë. Pata një takim të shkëlqyer me Sekretaren e Shtetit. Unë nuk ju them asgjë të re ju, tu konfirmoj se në çdo fjalë të saj ndihej dashuria dhe respekti për Shqipërinë dhe shqiptarët, gatishmëria e këtij vendi për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Më pas patëm një ngjarje tjetër të madhe, ndofta promovimi më i madh që ju është bërë shqiptarëve ndonjëherë në ndonjë vend dhe kjo ishte shfaqja e një filmi në muzeun e Holokaustit,  një nga filmat më mbresëlënës që unë kam parë në jetën time dhe jo vetëm  unë, por e gjithë ajo audiencë e nderuar, në të cilën miq të vërtetë të këtij kombi, donin ti dëshmonin kombit amerikan, se një komb i vetëm në Europë, shqiptarët falë kodit të tyre moral të lartë, nuk dorëzuan as edhe një hebre tek nazistët. Se një mbret, i vetmi në Europë do të urdhëronte konsullatat e tij do të urdhëronte pikat e kalimit të kufirit, lehtësoni hebrenjtë me të gjitha mundësitë tuaja dhe ky ishte mbreti Zog.
Pas lufte ne përjetuam një nga diktaturat më të mëdha, por nuk është e rastit aspak vendimi i presidentit Truman për të ndihmuar shqiptarët, për tu çliruar nga diktatura komuniste. Ky burrë i madh i kombit amerikan përzgjodhi shqiptarët që ti ndihmonte që të dilnin nga diktatura. Në vitet ‘90 për fat të keq jo të paktë ishin ata të cilët mendoni se Shqipëria duhet të qëndrojë si “Kuba e Adriatikut”, eksperimenti më tragjik i socializmit, por këtë nuk mendonin shqiptarët, këtë nuk e mendonte qeveria e SHBA , e cila me valët e Zërit të Amerikës, u shndërrua në kushtimin, zërin e fuqishëm, apelin e madh të shqiptarëve, që të ngrihen për liri dhe dinjitet.
Këto 20 vite janë vitet në të cilat shqiptarët pas luftërave të Skënderbeut dhe pavarësisë së Shqipërisë, kanë arritur realizimet më të mëdha. Qeveria e SHBA ndihmoi Shqipërinë dhe shqiptarët të ndërtojnë demokracinë  e tyre. Presidenti George Bush i vendosi linjën e kuqe kasapit të Ballkanit në Kosovë, linjë të cilën do ta mbante Clinton. Presidenti Bill Clinton udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut në luftën për çlirimin e Kosovës.
Presidenti George Bush bëri gjithçka, që Shqipëria të anëtarësohej në Aleancën e Atlantikut të Veriut  dhe të kishte të garantuar sigurinë e vet për jetë. Presidenti George Bush udhëhoqi përpjekjet për  shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Presidenti Barak  Obama, Sekretarja e Shtetit Clinton, mbështesin fuqishëm Shqipërinë dhe Kosovën, në rrugën e tyre të ndërtimin e lirisë dhe vlerave të demokracisë.
Në të gjitha këto vendime të mëdha të kombit amerikan, të qeverisë amerikane, të cilat natyrisht kanë në bazë parimet dhe vlerta themelore mbi të cilat është ndërtuar ky vend dhe ky shtet, ju vatranë, diaspora shqiptare ka rolin e saj të madh dhe të jashtëzakonshme. Ju bëtë gjithçka që çështja e shqiptarëve, problemet e tyre të drejta, të shndërrohen në probleme të mendjes dhe zemrës së qeveritarëve dhe qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju duhet të ndiheni krenarë dhe shqiptarët janë krenarë me ju, për kontributin tuaj historik dhe të jashtëzakonshëm.
Sot është një ditë homazhi e madhe për të gjithë diasporën shqiptare në këtë vend, e cila ka shpalosur këtu gjeninë krijuese të kombit shqiptarë. Ne të gjithë sa jemi këtu ndihemi krenarë me arritjet e shqiptarëve në SHBA. Nga nobelistë siç është profesor Ferit Murati, tek artistë dhe personalitete të shquara të Hollivudit si vëllezërit Belushi, Eliza Dushku, Stend Dragoti, drejtues të suksesshëm korporatash dhe biznesmenë që bënë emër si Antonia  Thanas etj. Fotografi i pavdekshëm Xhon Mili, gazetarë të mëdhenj si Bill Kovach, Pier Lukas. Askund më shumë në asnjë vend tjetër gjenia krijuese e shqiptarëve nuk ka arritur sa çka arritur në këtë vend të lirë.
Dhe njëherë ju uroj ju dhe përulem me mirënjohje të madhe për gjithë kontributin  që ju keni dhënë. Do t’ju rrëfej një gjë, nuk ka gjë më të dhimbshme kur sheh bashkatdhetarët e tu, që largohen nga vendi i tyre, por asnjëherë nuk ndien dhimbje për ata që vijnë në SHBA, sepse në këtë vend të madh ata mbeten ndër shqiptarët më të mirë, sepse në këtë vend të madh, ata i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve kontributin dhe ndihmesën më të madhe, sepse në këtë vend të madh, ata faktojnë atë miqësi dhe bashkëpunim me SHBA që ka pasur dhe ka një rëndësi jetike për Shqipërinë, shqiptarët dhe Kosovën, sepse në këtë vend të madh ata kanë të gjitha mundësitë që të shpalosin gjeninë e tyre në të gjitha fushat. Këto ditë janë dy shqiptarë që garojnë këtu në metropolin e botës për  parlamentarë Ken Biberaj dhe Mark Gjonaj.
Dhe njëherë vëllazërisht ju uroj gëzuar këtë ditë dhe ju shpreh mirënjohjen time më të thellë, për gjithçka ju keni bërë për Shqipërinë, shqiptarët, Kosovën dhe mbarë kombin.

* Fjala e mbajtur nga kryeministri Sali Berisha në 100 vjetorin e themelimit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›