E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Zgjedhor: Emigrantët sërish pa të drejtë vote

Proces votimi / foto arkiv

Skerdilajd Zaimi

Megjithëse është folur shumë, sërish, emigrantët shqiptarë nuk do të kenë të drejtën për të votuar për zgjedhjet në Shqipëri. Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore ka vendosur të mos bëjë pjesë të ligjit të ri procedurat që rregullojnë votimin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke arsyetuar se për këtë çështje nuk realizohet dot infrastruktura e nevojshme. Nuk do të jetë edhe kësaj radhe një çështje që do të trajtohet në ligjin zgjedhor për arsye të pamundësisë infrastrukturore, tha dje për gazetën Shekulli, eksperti socialist në Komision, Bledar Çuçi. Ky pohim që ka miratimin edhe të palës demokrate e fikson edhe njëherë skenën ku do të zhvillohet ballafaqimi elektoral i radhës në ato koordinata demografike që ka qenë prezent deri më tani. Në vija të përgjithshme nga rreth 2. 8 milionë zgjedhës zyrtarë, qeveritë shqiptarë krijohen nga shumica që kanë maksimumi 650-700 mijë vota, në një numër aktiv votuesish që shkon diku te 1. 3 milionë. Këto janë shifra të konfirmuara edhe në zgjedhjet e fundit lokale, ato të 8 majit 2011. Më herët, në fund të muajit janar dhe fillim të muajit shkurt të këtij viti, PS-ja përmes sekretarit të vet për Rininë dhe Emigracionin, Erjon Veliaj depozitoi në Komision një nismë ligjore për këtë çështje, sipas së cilës votimi i emigrantëve mundet të rregullohej në ato vende ku ata jetojnë dhe punojnë duke ngritur edhe një komision të posaçëm. Që atëherë e deri më tani, tërheqja është thuajse e plotë për të arritur një marrëveshje të re, që nisur nga apatia e përgjithshme elektorale që dominon Shqipërinë, mund të penalizojë sërish opozitën. Përpos sistemit zgjedhor  në fuqi që vetëm në zgjedhjet e fundit parlamentare la pa përfaqësim parlamentar më shumë se 160 mijë vota kryesisht të majta, është edhe situata e vitit 2009 ajo që vlen të kujtohet. Kështu në zgrip të përllogaritjeve më fundore, PS-ja humbi përballë PD-së vetëm për një mandat. Që këtej shtysa për të sjellë në zgjedhje emigrantët, të cilët në një vend si Greqia kryesisht janë të afërt me PASOK-un socialist pritet të jetë më së shumti një ndihmë për të majtën. Në fakt, selia rozë ka preferuar më mirë të garantojë procesin brenda, sesa të hapë probleme të reja me votues në distancë e për të cilët edhe procedurat eventuale ankimore do të ngjanin të pabesueshme.

Meta: Emigrantët të votojnë aty ku jetojnë  

Aleati i Kryeministrit Sali Berisha në qeverisje, kreu i LSI-së, Ilir Meta ka kërkuar dje nga Selaniku zbatimin e të drejtës për të votuar nga ana e emigrantëve aty ku ata banojnë. Në një takim të mbajtur në kuadër të Konferencës Zgjedhore të LSI-së me 650 delegatë të saj dhe të asistuar nga kreu i bashkisë, Jani Butari, Meta ka apeluar për përfshirje në ligj të kësaj të drejte që ende nuk ka gjetur zbatim për emigrantët që përbëjnë gati ½ e qytetarëve me të drejtë vote.

PD-PS bien në ujdi të ruajnë siç është KQZ-në

Dy partitë kryesore mundet të lënë në fuqi sërish formulën ekzistuese për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndonëse deri më tani asgjë nuk është bërë publike dhe versionet janë nga më të ndryshmet, drafti i hartuar për Kodin e ri Zgjedhor zbulon opsionin e ruajtjes së formulës së tanishme. Kështu në nenin 61, pika 2 të projekti të ri, palët teksa flasin për auditin që KQZ-ja do të kryejë mbi veprimet e bëra në Regjistrin e Gjendjes Civile. Kështu përzgjedhja për të dy auditët i atribuohet Kryetarit dhe nënkryetarit të KQZ-së nëse mbahet skema aktuale. Nga ana tjetër anëtarëve të tanishëm të KQZ-së u mbaron mandati në tre mujorin e parë të vitit 2012, çka edhe në këtë pikëpamje e bën të domosdoshëm trajtimin e institucionit në mënyrë të posaçme. Një variant i supozuar është edhe fiksimi i një procedure të re, më publike dhe përfshirëse vetëm për kryetarin e KQZ-së.

Dyshimet për votuesit pa adresë, 17 nene në Kod për listat

Kodi i ri zgjedhor i kushton listave të zgjedhësve 17 nene, duke dëshmuar kështu paranojën e manipulimit që trashëgohet nga e shkuara. Duke i ngjarë më shumë një manuali për Gjendjet Civile dhe KQZ-në, sesa një kodi që rregullon veprimtarinë zgjedhore në tërësi, ligji i ri zgjedhor ka sërish përpara provën e pastrimit të listës së zgjedhësve nga dublimet. Kjo vjen sa nga bartja e problemit nga e shkuara aq edhe nga ekzistenca e atyre që njihen si votues pa adresë, apo më saktë me më shumë se një adresë. Këta i korrespondojnë kodit 999, ose 000 në 2011 dhe në zgjedhjet e shkuara kanë qenë lëndë e parë në akuzat për manipulim. Kështu edhe në vitin 2011, vetëm për njësinë bashkiake nr. 3 PS-ja akuzonte për rreth 5000 votues që nuk identifikoheshin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›