Vazhdimi i bisedimeve Kosovë-Serbi, ende nuk ka një datë
Robert Cooper ende nuk e di se kur do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi. Stafi i lehtësuesit evropian, vazhdon të ushtrojë trysni mbi delegacionin serb që të kthehet në Bruksel, por pa ndonjë efekt.
Burime të gazetës Express thonë se ai vazhdon të punojë për rikthimin e palëve në tryezën e bisedimeve, të cilat u ndërprenë kur delegacioni serb insistoi që të diskutohet për çështjen e dy pikave doganore në Veri të Kosovës.
Këto pohime vijnë një ditë pasi që Edita Tahiri tha se delegacionet mund të takohen në javën e dytë të nëntorit.
Ne kemi kërkuar datën 20 nëntor, si afat të fundit që të hartohen të gjitha planet për zbatim për ato katër marrëveshje, sepse marrëveshja për tregtinë e lirë tashmë po zbatohet nga të dyja palët. Pasi që të hartohen planet për implementim, duhet të fillojë menjëherë edhe zbatimi i marrëveshjeve të tjera, ka thënë ajo.
Këto deklarata i ka dëgjuar edhe Borko Stefanoviç, shef i delegacionit serb në bisedimet teknike me Kosovën, i cili ka thënë se dialogu do të rifillojë kur të gjendet zgjidhja për Veriun e Kosovës.