Vazhdojnë protestat në Egjipt

Në Egjipt kanë vazhduar protestat kundër presidentit Mohammed Morsi, pas dekretit të tij për zgjerimin e pakufizuar të autoritetit të tij.
Disa qindra demonstrues janë tubuar afër Gjykatës Supreme në kryeqytetin Kajro, ndërsa raportohet se forcat e sigurisë kanë hedhur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.
Më herët, një asociacion i gjyqtarëve të Egjiptit ka bërë thirrje për “pezullimin e punës në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë” në shenjë proteste ndaj dekretit të Morsit, të cilin gjyqtarët e kanë vlerësuar si “sulm i egër kundër gjyqësisë egjiptiane”.
Dekreti i publikuar të enjten, nuk lejon ankesa juridike ndaj vendimeve të presidentit, derisa të zgjidhet përbërja e re e parlamentit.
Lideri i njohur opozitar, Muhammad El Baradei, tha se me presidentin nuk mund të ketë dialog, derisa të mos anulohet dekreti “diktatorial”.