Vazhdojne te rriten fitimet e bankave shqiptare
Sistemi bankar shqiptar ka rritur fitimet edhe gjatë muajit Prill, duke vazhduar përmirësimin e performancës financiare. Sipas të dhënave të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, për katër muajt e parë të vitit rezultati financiar i bankave rezultoi pozitiv në vlerën e 3.4 miliardë lekëve, shifër kjo 2.3 herë më e lartë krahasuar me katërmujorin e një viti më parë.
Pavarësisht një mjedisi ekonomik të vështirë, bankat po arrijnë fitime të kënaqshme dhe po vazhdojnë të kreditojnë ekonominë, ndonëse me një ritëm të moderuar. Në fund të prillit, statistikat treguan për një rritje nominale vjetore pranë nivelit 10%. Ngadalësimi i ekonomisë natyrisht që nuk po kalon pa pasoja, që shprehen jo vetëm në një kreditim më të ngadaltë, por edhe në rritje të kredive me probleme.
Përqindja e kredive në vonesë, në fund të muajit prill, arriti në 20.6%, nga 20.1% që ishte një muaj më parë. Në harkun e një viti, kreditë me probleme janë rritur me 5.4 pikë përqindjeje. Megjithatë, sistemi në tërësi po tregohet i aftë për t’u përgjigjur me forcim të kapitalit.