E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e mjedisit, makinat e vjetra jashtë qarkullimit

Makinat e vjetra do të dalin jashtë qarkullimit. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Transporteve, e cila po diskuton me Shoqatën e Transportit mbi mënyrën e largimit të këtyre automjeteve nga përdorimi.

Transportet

Kemi një program në proces, fillon që nga dëshira për të vendosur detyrimin për marmitën katalitike për të gjithë përdoruesit e mjeteve që përdorin mjete me benzinë dhe deri tek nxjerrja jashtë inventarit të mjeteve motorike të tipit dizel që janë euro 2 dhe poshtë. Vetë shoqata e transportuesve ka filluar të mendoj në këtë kuadër për të ndryshuar flotën e transportit, tha Ylli Manjani, zv.ministër i Punëve publike dhe transportit.

Parqe energjetike

Në një aktivitet të mbështetur nga Bashkimi Evropian mbi ngrohjen globale, Shqipërisë iu rekomandua të marrë masa që deri në vitin 2020, 38 për qind e energjisë të sigurohet nga burime të rinovueshme. Për këtë, Ministria e Ekonomisë tha se do të lehtësojë sipërmarrësit që do të ngrenë parqe energjetike për të përfituar energjinë nga era dhe dielli.

Autorizimet

Janë dhënë 10 autorizime për ndërtimin e parqeve me erë, për prodhimin e energjisë elektrike me një fuqi të përgjithshme të instaluar për rreth 1600 megavat dhe gjithashtu jemi në procedurë dhe për 14 kërkesa të tjera, si dhe energji diellore, ku aktualisht në procedurë kemi tre kërkesa në ndërtimin e parqeve, tha Neritan Alibali, zv.ministër i Ekonomisë.

Përmbytjet

Nëse mjetet motorike dhe mënyra e përfitimit të energjisë nuk ndryshon, ekspertët evropianë paralajmërojnë se në Shqipëri dhe në shumë shtete të tjera, përmbytjet nga reshjet do të jenë shumë më të mëdha, niveli i deteve do të rritet, shembja e tokave do të vazhdojë me ritme të shpejta dhe thatësira do të dëmtojë edhe më shumë bujqësinë.

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›