Vazhdojnë zjarret në Australi, evakuohen banorët
Zjarrfikësat australianë vazhdojnë të punojnë duke hedhur ujë në zonat që po kërcënohen nga zjarret në Sydney. Ata po përpiqen të parandalojnë dy vatra gjigande zjarri në veri dhe në jug të Sidneyt. Ekipet e zjarrfikësave nuk e kanë ndaluar punën duke vënë në përdorim automjete por edhe helikopterë me ujë gjatë ditës së dielë. Disa nga banorët kanë nisur të largohen nga shtëpitë e tyre dhe në vijim pritet të jepet dhe vendimi nëse e gjithë zona do të evakuohet plotësisht apo jo. Zona e kërcënuar nga flakët po e ndiejnë gjithnjë e më shumë rrezikun pasi shtëllungat e tymit kanë mbushur qiellin dhe retë e zeza të tymit janë të dukshme. Autoritetet po marrin masa pasi nuk dihet se cili mund të jetë drejtimi i zjarreve, të favorizuara nga erërat e forta. Qindra zjarrfiksa janë në terren duke u përjekur të pengojnë afrimin e flakëve. Vatrat e zjarrit janë kthyer në një problem konstant në australi. Në shkurt, shteti jugor i Viktorias u prek nga fatkeqësia më e madhe në historinë e këtij vendi, pasi zjarret shkatërruan dhjetëra mijëra hektarë tokë dhe vranë 170 persona.