E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formohet Grupi i Miqësisë Kosovë-Gjermani

Kuvendi i Kosovës ka formuar Grupin e Miqësisë Kosovë-Gjermani, kryetar i së cilit është deputeti Arsim Rexhepi.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Hans-Dieter Steinbach.

Krasniqi e ka falënderuar ambasadorin gjerman për bashkëpunimin dhe mbështetjen politike që ka pasur Kosova në të gjitha proceset politike nga Gjermania dhe institucionet e saj, ndërsa ka thënë se formimi i grupit të miqësisë do të ketë një rol të rëndësishëm dhe ka një simbolikë të veçantë, pasi po bëhet në prag të përvjetorit të dytë të shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Hans-Dieter Steinbach, tha me këtë rast se edhe sikurse më parë, edhe gjatë vitit 2010 do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të vazhduar bashkëpunimin e mirë mes Kosovës dhe Gjermanisë.

“Vitin e kaluar gjermanët kanë zgjedhur një parlament të ri, pra Bundestagun e 17. Shpresoj që ky Bundestag do të zhvillojë një bashkëpunim po ashtu intensiv me deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilën e kanë zhvilluar edhe deputetët e Bundestagut të 16. Pas konstituimit të Bundestagut janë formuar edhe komisionet e ndryshme, mendoj se së shpejti do të formohen edhe grupet e miqësisë, të cilat edhe më parë kanë ekzistuar në parlament”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›