E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon hetimi për varrezën masive afër Rashkës

Beograd, 11 gusht – Prokuroria serbe për krime të luftës njoftoi të mërkurën se do të vazhdojë hetimin për përcaktimin e ekzistencës eventuale të varrezës masive në lokalitetin Rudnica-Majdan “për arsye të dyshimit të bazuar se ajo varrezë ekziston”.

Prokuroria ka konfirmuar se i është dërguar Raporti për ekspertizën e dheut nën ndërtesën administrative të ndërmarrjes “Kosmet-put” në atë lokalitet, por nuk ka cekur rezultatet e hetimit.
 
Ekspertizën e ka kryer Instituti për rrugë dhe gjeoteknikë i Beogradit me urdhëresë të gjykatësit hetues të Degës për krime të luftës të Gjykatës së lartë në Beograd.
 
Duke cekur se hetimi zhvillohet në bashkëpunim me EULEX-in, Prokuroria ka njoftuar se “është e vendosur që për hir të drejtësisë çdo krim do ta hetojë deri në fund, pavarësisht nga përkatësia nacionale a fetare e ekzekutuesve dhe viktimave”.
 
Agjencisë Beta të martën jozyrtarisht i është thënë se në kampionët (mostrat) e marra nga dheu për ekspertizë nuk janë gjetur materie organike.
 
Por, me rasti e konfirmimit për rezultatet negative, një burim tjetër i kësaj agjencie ka thënë se lokacioni ku janë marrë mostrat nuk është ai ku është dashur të merren ato.
 
Ka indikacione se varreza masive gjendet nën ndërtesën e ngritur më vonë në atë lokacion dhe se mostrat e marra nuk ishin nga ai lokacion.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›