E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Në Kosovë janë bërë zhvillime pozitive pas pavarësisë

Prishtinë, 11 gusht -  Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar të mërkurën gjatë një pritje për studentë pjesëmarrës në Universitetin Veror në Universitetin Amerikan të Kosovës se në Kosovë janë bërë zhvillime shumë pozitive, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe Kosova ka qasje të mirë të jetë atdhe i dashur i të gjithë qytetarëve të saj, ka raportuar KosovaLive.
Duke folur para studentëve nga Austria, Suedia, Norvegjia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria, Shqipëria e vende të tjera, të cilët po vijojnë diskutimet në temën e integrimeve evropiane në kuadër të Universitetit Veror në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK), presidenti Sejdiu u dëshiroi atyre qëndrim të mirë në Kosovë dhe u kërkoi që ta njohin shtetin më të ri në botë, të njihen me realitetin në të dhe me vizionin e Kosovës për të ardhmen.
Presidenti Sejdiu përsëriti qëndrimin e Kosovës për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje dhe vendet e rajonit. Duke folur për marrëdhëniet me Shqipërinë, Maqedoninë e Malin e Zi, ai përkujtoi dy takimet e përbashkëta të mbajtura me presidentët e këtyre shteteve dhe foli për idenë e paraqitur prej tij për një Minishengen, që do të mundësonte lëvizje të lirë të qytetarëve, ide e cila në masë të madhe po realizohet.
Departamenti i informacionit dhe komunikimit me publikun i Presidencës së Kosovës bën të ditur se presidenti Sejdiu, në këtë takim, theksoi se Republika e Kosovës është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, por gjithnjë në raport të dy shteteve sovrane, të cilat mund të bisedojnë për një varg temash, që nga lëvizja e lirë e qytetarëve, zhvillimi ekonomik, parandalimi i krimit të organizuar e tema të tjera, por asnjëherë nuk do të bisedojnë për statusin e Kosovës, i cili është përmbyllur njëherë e përgjithmonë.
Presidenti Sejdiu gjithashtu përsëriti një varg të arriturash të Republikës së Kosovës, njohjen nga 69 shtete dhe anëtarësimin në një varg mekanizmash ndërkombëtarë. Ai theksoi se pas mendimit të qartë dhe eksplicit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës do të shtohet numri i njohjeve si dhe do të hapen rrugë të reja për integrimin.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›