E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon kërdia ndaj të pafajshmëve - Polemika zemërake e Oriana Falaçit

Synimi i vërtetë është klonimi njerëzor, domethënë ëndrra hitleriane për mbinjerëzit dhe për mbigratë, e fabrikuar në laborator. Dhe mjekimi i kësaj sëmundjeje nuk është veçse një gënjeshtër mizore. Shpesh staminalet zhvillojnë kancerin.

Frankenshtajni dhe mecenatët e tij (juristë, gazetarë, editorialistë, aktore, filozofë, bulkthë këngëtarë, anëtarë të Akademisë së rrëqebullve, politikanë në kërkim të votave, mjekë që kërkojnë lavdi), të gjithë këta nuk duan ta dëgjojnë fare atë “Po e pësojmë si mos më keq, po gjendemi në një shoqëri të përbërë prej të klonuarish... po kthehemi drejt nazizmit”. Kur vjen muhabeti te Hitleri dhe te nazizmi, apo te Mengele, bëjnë sikur ndjehen të fyer, sikur janë skandalizuar. Llomotitësit tërë paragjykime; të kundërvihen se krahasimi qenka kot më kot. Pastaj, në stilin më tipik bolshevik, të mbërthejnë në shtyllën e turpit. Të quajnë fanatik, puthalter, shërbetor të Papës e të kardinalit Ruini, mercenar të Kishës Katolike. Të shpotisin duke të quajtur të prapambetur, obskurantist, reaksionar dhe, duke marrë pozat e iluministëve të rinj, të përplasin në fytyrë banalitetet e tyre të njëllojta. Ulërijnë se Shkenca nuk mund të dalë me brekë, se Diturisë nuk mund t’i vihet freri, se Përparimi nuk mund të ndalet, se faktet janë më të fuqishme se arsyetimet, se bota ecën përpara, pavarësisht se duan ta gozhdojnë kokëtrashët. Karagjozë, por hierëndë, shpallin se embrioni nuk është një qenie njerëzore: është vetëm një projektqenie, madje një projektqenie njerëzore, një bashkim i thjeshtë thërmijëzash të qelizave që nuk mendojnë. Me njëfarë sigurie palaçosh se keto nuk kanë shpirt, se shpirti qenka kur është i qenësishëm mendimi; se selia e mendimit është truri dhe truri fillon të zhvillohet dy javë pasi embrioni i ngjitet uterit të nënës. Apo se një fetus fillon të mendojë vetëm në muajin e tetë ose të nëntë të barrës; se, sipas Thoma d’Akuinit, gjer në muajin e katërt, jemi kafshë dhe prandaj as që ia vlen të mbrohen embrionet e shimpanzeve.
është e kotë të vërësh se Shën Thoma d’Akuini jetoi në 1200-n, se atëhërë ai merrte vesh nga gjenetika aq sa di unë për çiklizmin apo për boksin. është e kotë të kundërpërgjigjesh se të fshihesh prapa silogjizmit Tru-Mendim-Shpirt- bárazi-Njerëzor, është një hajvanllëk. është një fyerje ndaj logjikës. Edhe kafshët kanë një tru, për perëndi! Edhe kafshët kanë një mendim. Ergo (pra, si rrjedhim), duke u mbështetur në atë silogjizëm, edhe ato duhet të kenë një shpirt dhe të quhen humane. është e kotë të vëresh, së fundi që, në formësimin tru-shpirt, nuk dimë veçse një zero me xhufkë. Edhe ajo që dihej për atomin, kur Henrik Fermi e ndau atë të uraniumit 235 dhe zbuloi se bërthama e tij e ka përmasën sa një e njëqindmiliardta e milimetrit. E, megjithatë, mund të rrafshojë, sa hap e mbyll sytë, qytete si Hiroshima e si Nagasaki. Po sikur infinitezimalja (pambarimisht e vogla) të përmbajë më shumë se pambarimisht e madhja? Po sikur truri-shpirt i embrionit të jetë në përmasë edhe më të vogël se një e njëqindmiliardta e milimetrit dhe miopia morale (pa lënë mënjanë edhe atë intelektualen) nuk munden dot ta dallojnë? E, nëse, për pasojë, embrioni mendon e vuan siç vuajme ne kur Zarkaui na pret kokën me thikën e tij hallall?
***
Puna është se pohimet e tyre, që s’janë provuar asnjëherë, janë vetëm teori e pikë; janë siguri të hamendësuara nga konformistë që përshtaten lehtësisht e të përhapura si të vërteta të prera, pikëpamje të valëvitura si flamuj në mirazhin fodull se mos zhvatin ndonjë Nobel, për të cilin janë të përvëluar, pa pasur ndonjë meritë kushedi çfarë; se ndonjë fije namuzi jo se jo! Janë një dogmë që nuk vlen më shumë se imja. Madje mjaft më pak se kjo imja, që nuk është molepsur nga llogaritje, nga përshtatje, nga oportunizma. Cila është imja? Epo mirë, është ajo që kam shprehur në “Letrën e një fëmijë që s’ka lindur kurrë”, një libër që nis me këto fjalë: “Mbrëmë kuptova se ishe edhe ti. Një pikëz jete, që u shkëpute nga asgjëja”. është ajo që përforcova në “Foglio”, kur iluministët e rinj, përparimtarët dhe avangardistët, miratonin dënimin me vdekje të Terri Shindlerit apo, po të duash, Terri Skllavit. (Sipas tyre, fajtor sepse s’kishte më një mendim, se s’kishte më një shpirt, sepse nuk vinte çdo të diel në Meshë, që e ka emrin Ndeshja e Futbollit). Ah, po: unë, nga ana ime, pa i pasur provat që dha Fermi për bërthamën e atomit, besoj që qysh nga çasti që spermatozoidet mbarsin vezën-qelizë dhe ajo qelizë bëhet dy, pastaj 4, 8 16, domethënë secila dyfishohet, ne jemi ata që do të jemi. Domethënë qenie njerëzore. Mbase jo ende persona, sepse një person është përfundim i një thelbi të lindur dhe i përvojave të fituara, pas lindjes. Embrioni që çel në vezën-qelizë të një morri, është një morr. Embrioni që çel në vezën-qelizë të një qeni, është një qen (Shembullin e qenit e sjell edhe imzot Sgreçia). Embrioni që çel në vezën-qelizë të një elefanti, është një elefant. Embrioni që çel në vezën-qelizë të një qenieje njerëzore, është një qenie njerëzore. Dhe aq më bën se këtë herë opinioni im është në përkitje me atë të Kishës Katolike. Me atë të Papa Vojtilës dhe të Papa Racingerit, me atë të Kardinalit Ruini, të peshkopëve, të kryepeshkopëve, të priftërinjve që kundërshtuan ndarjet e grave dhe dështimet (abortet) e tyre. (Edhe unë e urrej dhe, për votimin në mbështetje të dështimit pata mëdyshje zemërplasura. Por e quaj ndarjen (divorcin) një fitore të civilizimit dhe për divorcin u përlesha me thonj e me dhëmbë). Në të vërtetë, nëse ky mendimi im përputhet me atë të Kishës Marksiste, të Leninit, të Stalinit, të Mao Ce Dunit dhe, madje, edhe të mbretit të Kubës, domethënë të shumëpërbuzurit Kastro, do të shprehesha njësoj, me të njëjtën kthjellësi. As më duhet fare ai kërcënimi djallëzor i premtimeve për shërimin e diabetit, të distrofisë, të Alzeimerit, të sklerozës multiple të Stefën Hokingut (kozmologut të madh që prej dhjetëvjetëshash jeton në karrocën që e lëviz me rrotullimin e rrotave e që luhatet më zi se një lule e tharë). Siç thashë në intervistën që i dhashë Foglio-s, aq do të më bënte edhe nëse staminalet do të shërbenin për të shëruar kancerin tim, madje kanceret e mia. Zoti e di sa dua të jetoj, nëse dua të jetoj sa më gjatë. Unë jam e dashuruar me jetën. Por, që të shëroj kancerin tim, duke injektuar qeliza të një fëmije që s’ka lindur, do të më dukej vetja si një kanibal. Një Medea që vret fëmijët e vet. (Euripidi, përmes Jazonit, i thotë: - “Grua e mallkuar, e neveritur nga Perënditë, nga unë, nga e gjithë gjinia njerëzore. Ngordh aty, qofsh e fëlligët, o vrasëse e bijve te tu”).
Nuk dua t’ia di fare as për Frankenshtajnët dhe mecenatët e tyre që duan të më vënë daullen me akuzat si e prapambetur, obskurantiste, reaksionare, fanatike, servile e Vatikanit. Aq më keq, me ata nuk ia vlen as të shpjegohesh se një ateiste ( qoftë edhe e krishterë) nuk mund të jetë fanatike, nuk mund të jetë servile e klerit, e të tjera. Nuk ia vlen shpjegimi se një laike, që është ndeshur gjithmonë për drejtësinë dhe për lirinë, nuk mund të jetë e prapambetur, obskurantiste, reaksionare. Por dua të shtoj: Vërtet nuk ka kufi ajo inkoherenca e këtyre tregtarëve të flamujve. Njëherë e një kohë këta ithtarë të kanibalizmit të sotëm, ulërinin se ishte e tmerrshme që të flijoheshin kafshët në laboratore. Dhe jam dakord gjer këtu. (Kam parë gjëra të lemerishme nëpër laboratore. Njëherë në Nju-Jork kam parë t’i hiqet zemra një qenushi e t’i zëvendësohet me zëmrën e një derrkuci e pastaj të vendosej nën hundën e nënës së mjerë, për të parë nëse do ta njihte. Ajo e njohu dhe filloi të angullinte dëshpërueshëm. Njëherë tjetër në çikago pashë t’i hiqej truri një majmuni të vogël. Për së gjalli, meqë truri duhej të mbetej i gjallë, përmes furnizimit me gjak. Quhej Libi. Dhe, ndërsa e lidhnin në krevatin mizor të operacionit, më kishte fiksuar sytë, sikur të kërkonte ndihmën time. Më erdhi turp nga vetja. M’u pështoll dhe volla, por Frankenshtajni i turnit, një kërkues i njohur, më tha i habitur: “Why, përse? Less Squeamish. Libi nuk ka as shpirt”). E le të vijmë përsëri tek ata fjalamanët që qanin edhe për minjtë që përdoreshin për të provuar ilaçet. I quanin martirë këto kafshë dhe, për t’i mbrojtur, bënin kortezhe luftarake të ngjashme me ato të pacifistëve që paqen e kërkojnë siç e duan ata, të një ane dhe mos e zgjat më tej. Tani po na pranokan se kaviet janë fëmijët tanë që s’kanë lindur, të flijuara si qenushi i Nju-Jorkut dhe si Libi. Pranojnë se qelizat e këtyre kavieve të reja po pasurojnë firmat e farmacive, cinizmi i të cilave e kalon atë të tregtarëve të armëve. Pranojnë se qelizat shqyhen si qetë në kasaphanë, për të nxjerrë lëkurë e organe shitjeje, siç shiten pjesët e këmbimit të automobilave. Pranojnë se të gjitha këto synojnë të bëjnë të njëmendtë botën e re të Huxley-it, që të bëhemi njerëz Alfa ose Beta apo Gama, apo një Zot e di çfarë. Kampionë të shëndetit e të bukurisë, por pa tru? Apo përbindësha me zgjuarsi të mahnitshme, apo pa krahë ose pa duar? (Meqë ra fjala: ne laboratorët kërkimorë njëherë tjetër pashë një zog i cili s’dihet sepse, mbase për zbavitjen e atyre që e katandisën kështu, kishte lindur pa krahë. Dukej vetëm si një top i përbërë prej puplash; dhe vetëm kaq! Dhe më shihte me ata sy të mallëngjyer të cilët, në krahasim me Burgjet e Mikelanxhelos, domethënë me të katër shtatoret në gurin e të cilave nuk ishin vendosur ende kokat apo gjymtyrët, dukeshin si të lumtur...). Dhe s’do mend se kavie jemi edhe ne vetë. Një grua që pëson heqjen e një veze-qelizë është sigurisht një kavie. Një tjetër që, për të qenë prapë e aftë që të mbarset, e vëndos sërish (e transplanton) është, po ashtu një kavie. Për hir të një shkence, që është gjithmonë një tekno-shkencë, falë një ilaçi, që është gjithmonë një tekno-ilaç, domethënë gjithmonë e më tepër çnjerëzor, jemi kavie qoftë edhe në rastet që s’kanë të bëjnë me fekondimin artificial. Kur i nënshtrohem një radioterapie, për shembull, veçanërisht në Amerikë, nuk shoh qenie njerëzore. E nuhat se mjekët dhe teknikët, rrinë përtej, në një vend tjetër, po. Mbase përtej xhamit që ndan dhomën e tyre nga ajo në të cilën ndodhem me aparaturat. Por nga ata s’më vjen asnjë zë. Nuk më flasin kurrë. As kur urdhërohem të mos marr frymë. Flet një makineri. është riprodhimi i zërit njerëzor. Dhe ndjehem vetëm si një embrion në frigorifer, si një kavie në mëshirën e një kërkuesi. E njëjta gjë edhe në rastin kur më duhet të mbush formularët që shërbejnë në pasurimin e statistikave mbi metodat e mjekimit, të mbijetesës, të vdekjeve. Në këta formularë unë mbetem vetm si një numër. Numri i një prodhimi në etiketën e të cilit mungon vetëm data e pavlefshmërisë (e skadencës).
Ai që në mirëbesim nxit botën e re, strehohet gjithmonë nën çadrën e fjalëve Shkencë e Perparim. Mbase më të shpërdoruarat pas fjalëve Dashuri e Paqe. Por në shpjegimin e fjalës Përparim, madje mbi konceptin e të ashtuquqjturit Progres, mendimet nuk përputhen. Dhe bëhet gjithmonë e më e vështirë për të kuptuar se për ç’dreqin flitet. Për Xhordano Brunon ishte astronomia kopernikane. Për Volterin, përsosja e arteve dhe e zakoneve. Për Kantin, e Drejta që Zëvendëson Forcën. Për Darvinin, evolucioni biologjik. Për Marksin, rrëzimi i sistemit kapitalist. Për stërgjyshët e mi të shkallës së tretë, telegrafi, treni, anija me avull, ndriçimi me gaz, monarkia kushtetuese. Për të parët e mi të shkallës së dytë, ndriçimi elektrik, termometri, vaksinimi kundër lisë i Pastërit, rrezet e Mari Kyrisë, demokracia pa votim të përgjjithshëm. Për gjyshët e mi, automobili, aeroplani, telefoni, radioja e Gulielm Markonit, penicilina, votimi i përgjithshëm, pa votën e grave. Për prindët e mi, votimi i grave, ajri i kushtëzuar, makinat pjatalarëse, TV-ja, , republika. Për botën time, transplantimi i organeve, anijet kozmike, udhëtimet në Hene dhe në Mars, kompjuterat e mallkuar, celularët e mallkuar dhe Internetët e mallkuar, me të cilët mund të shash sa e si të duash dhe mund të shpifësh ndaj kujt të të dojë qejfi, si edhe t’u vjedhesh të tjerëve kohën e punës, pa përfunduar në burg. Përveç trumbetimit gjer në ngjirje të të Drejtave Njerëzore, të cilat nuk përfshijnë të drejtat njerëzore të atyre të cilët, si unë, shkojnë kundër rrymës dhe as të drejtat njerëzore të fëmijëve. Të drejta të shkelmuara me shpëlarjen e trurit nga ana e shkollës, me keqtrajtime, grabitje, vrasje, qoftë edhe prej Medeave që vrasin fëmijët e vet me kopaçe, apo i fundosin nëpër vaskat e banjove ose i mbytin nëpër pishina. Këto, pa llogaritur fëmijët që bien pre të pedofilëve nëpër kolegje dhe nëpër sakristitë, apo të përdhunuar e të mbytur e, pastaj, të varrosur të gjallë, si Xhesika Lundman. Ah, a duhet të vëmë këtu edhe holokaustin e embrioneve njerëzore nëpër listat e dyshimta të një Përparimi që, në nëntëdhjetë përqind të rasteve, mbështeten në suskeset e teknologjisë, jo të moralit? Nga sa duket, po. E s’kemi ç’të bëjmë dhe le të kemi durim, nëse kemi qenë më të përparuar kur ishim më të paditur; më të sëmurë, më të varfër, më njerëzorë, përderisa vdekja e një fëmije të lindur apo të palindur na e sfiliste shpirtin. Për Krishtin! Ka të drejtë Racingeri (faleminderit, Shenjtëri, që keni gjithmonë kurajën që ta quani bukën bukë dhe verën verë) kur thoni se Përparimi nuk ka lindur njerëz më të mirë, shoqëri më të mira dhe vijon të jetë një kërcënim për gjininë njerëzore.
Përsa i përket Shkencës, o Perëndi! Qysh e ré, bija përmbys mbi shkencën, me atë besim që kanë myslimanët për Kuranin. Me të njëjtin nderim që ata kanë për Muhamedin. Doja të bëhesha shkencëtare dhe prandaj u shkrova ne Mjekësi. Së fundi, edhe sot e kësaj dite për Shkencën kam një respekt instinktiv, një pasion që as Frankenshtajnët nuk arrijnë ta shuajnë. E do të isha një e dalë mendsh po të mohoja se njerëzimi ka ecur përpara edhe për hir të saj. A e dini? Edhe mua më pëlqen të shkoj në Hënë apo në Mars. Madje më pëlqen edhe më shumë nga ç’u pëlqen avangardistëve. Edhe mua më pëlqen të përdor telefonin, radion, aeroplanin, televizorin. Dhe, nëse hë për hë jam ende e gjallë, këtë ia detyroj Mjeksëisë e cila, ndonëse më bën që ta ndiej veten shpesh si një embrion në frigorifer, si një kavie në mëshirën e një kërkuesi, më ka mjekuar, megjithatë, dhe më kuron ende. Veçse . . .
Veçse Shkenca është si zjarri. Mund të bëjë shumë mirë, mund të bëjë edhe shumë keq. Si zjarri mund të të ngrohë, të të dezinfektojë, të të shpëtojë, por edhe të të bëje shkrumb e hi. Të të shkatërrojë. Si edhe zjarri, ajo shpesh bën më shumë keq se mirë. Dhe motivi është pikërisht ai se, sikundër zjarri, ajo nuk merret me problemet morale. Për atë, çdo gjë e mundshme është edhe e lejueshme. Ta lëmë mënjanë retorikën. Skrupuj Shkenca ka pasur kurdoherë shumë pak. Vrasje ndërgjegjeje, aq më pak. Ka përvetësuar gjithmonë të drejtën që të bëjë çka dashur dhe ka dashur ta bëjë sepse mund të bëhet. E, duke e bërë, nuk ka pyetur ndonjëherë, nëse ajo qe ka bërë është apo s’është e drejtë. Edhe më keq akoma: ashtu si ajo lavirja që shet trupin e saj, i është shitur vazhdimisht atij që paguan më shumë. Ia ka bërë gjithmonë yzmetin çmimit Nobel, mburrjes së saj, kllapisë për të qenë e plotfuqishme, etjes për të zëvendësuar Natyrën (Recingeri thotë për “të zëvendësuar Zotin”.). Sa për viktimat e saj pak e ka bërë qejfin qeder. Për këtë ishte i shkujdesur edhe i lavdishmi Leonardo da Vinçi i cili, si piktor, jepte në pëlhurë e në mur Madona të shkëqyera dhe Mona Liza të mrekullueshme dhe të admirueshmen“Zotëria me hermelinin” por, si shkencëtar, i shërbente Ludovik Sforcës, duke projektuar makina lufte të paparashikueshme per kohën. Supertopa, supermitralozë, supertanksa, superhelikopterë, për të bombarduar njerëzit. Nuk i pati parasysh këto as i ndershmi Openhaimer i cili, bashkë me Telerin, ndërtoi bombën atomike. Dhe as më ngushëllon fare se, para se ta bënte këtë shpërthim në Fort Alamos, u kishte bërë telegram kolegëve të vet të Berklit në të cilin, duke cituar një copë të tekstit të shenjtë të zotit Krishna, mallkonte veten pa mëshirë. “Unë u bëra Vdekja, shkatëruesi i botërave”. Së fundi a nuk ishte një doktor ai që quhej Jozef Injas Gijoten (Guillottin) që në vitin 1789 shpiku gijotinën? A nuk ishte edhe ai tjetri, fabrikuesi i saj në vitin 1791, një mjek që quhej doktor Luigji? Për çdo penicilinë Shkenca na jep një Gijotinë. Për çdo Pastër, për çdo madam Kyri ose për çdo Markoni, na dhurohet një Mengele. Po së paku një Openhaimer, së paku një Teler. Thuajse gjithmonë (nder e lavdi përjashtimeve) kërkuesve shkencorë as nuk u nxihet fare për gjininë njerëzore. Ata i vë në lëvizje djalli i kërshërisë, i martuar me ambicien vetjake dhe me interesin tingëllues. [ Cili do të jetë qëndrimi i një zogu pa krahë? Si do të bëhet një fëmijë i mbarsur në provëz (në epruvetë)? Sa do të më shpërblehet , me pare në dorë, ky zbulim?]. E në djall shkofshin parimet, në djall vlerat mbi të cilat mbështetet, apo duhet të mbështetet, një shoqëri civile. Të dashurit e mi! Racingeri ka arsye edhe kur thotë se, në emër të Shkencës, të së drejtës për Jetën, bëhen therje e plagosje gjithmonë e më të rënda. Ka të drejtë edhe kur thotë se me eksperimentet në embrionet njerëzore jeta e Njeriut është poshtëruar, madje mohuar. Ka arsye edhe kur thotë se, në qoftë se nuk do të donim të humbisnim respektin ndaj Njeriut, duhet ta çmistifikojmë kërkimin shkencor, ta çmitizojmë Shkencën, domethënë të heqim dorë së quajturi atë një idhull apo një hyjni.
Fjalë të shenjta të cilat, për mendimin tim, vlejnë edhe për Etikën.
***
çdo fjalor e përkufizon Etikën si një pjesë të filozofisë që merret me Moralin. Për atë që është e mirë për Njeriun. Për atë që është mirë të bëhet apo të mos bëhet. Në të vërtetë nga Etika frmëzohen përgjithësisht ligjet e vendeve jo barbare, ose jo tërësisht barbare dhe, gjer dje, në Perëndim ne kemi bërë si kemi bërë. Halli është se në erën moderne Etika polli një vajzë të përdalë, të zvetënuar, që quhet Bioetikë. Gjithmonë sipas fjalorit Bioetika është një disiplinë që “merret me probleme morale dhe individuale e kolektive, të lidhura me përparimin e studimeve në gjenetikë dhe në teknologjinë e formimit të proceseve jetësore”. Por për këtë problem unë mendoj siç e mendonte Ervin Shagafi, biokimisti amerikan i cili xhindosej sapo dëgjonte të flitej për krijimin e ndihmuar , apo për mbarsjen artificiale, ose për embrione të ngrira (në frigorifer) e pastaj të shkrira për përdorim. Ai ulërinte për të gjitha këto: “Etika rri te bioetika, siç rri muzika te marshet ushtarake”. Ah! Bota perëndimore llokoçitet në ato marshet ushtarake. Institute të Bioetikës, Akademi të Bioetikës. Gjithmonë këto në duar të të diturve që thonë se duan të mbrojnë të ardhmen tonë, të balancojnë gëzimin e Dijes me dobinë shoqërore, të mënjanojmë pangopshmërinë e interesave industriale dhe financiare. Vetëm se përpara Idhullit-Shkencë e, për më tepër, përpara Hyjnisë-Shkencë, përpara mitit të Kërkimeve Shkencore, Bioetika s’ka ç’të bëjë. Në vitin 1997, kur lindi delja Dolli dhe dukej se, me po ato marifete, klonimi mund të shtrihej edhe në qeniet njerëzore, përfaqësuesit e disiplinës së fisme, e përcaktuan këtë gjë si të papranueshme nga ana etike. “Kurrë! Te lëjohen gjëra të tilla është si të shkosh kundër ligjeve biologjike themelore! Do të ishte një fyerje ndaj Natyrës e cila parashikon vetë evoluimin e specieve tona! Kjo do të çonte në një rënie të civilizimit tonë!”.
Marrë nga “Corriere della Sera”. Përktheu Kostaq Xoxa

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›