E Shtunë, 31 Tetor 2026

17 shkurti 2008, ngjarja më kulmore historike

17 Shkurti i vitit 2008 është ngjarja më kulmore historike për Kosovën, për popullin e saj. Ne pas sakrificave të shumta të gjeneratave të tëra, dhe përpjekjeve një shekullore, arritëm që të shndërrojmë ëndrrën në realitet.

Kështu e ka nisur mbledhjen e 61-të të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me ç'rast, tha se këto katër vite janë vite të suksesit, të konsolidimit, të forcimit të shtetit, duke shfaqur përkushtimin e qeverisë për ndërtimin e një Kosove evropiane.

"Këto vite të pavarësisë së Kosovës, katër vite, janë vite të suksesit, të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë. Tani në këtë përvjetor të katërt të pavarësisë së Kosovës, kemi edhe vitin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, me mbështetjen e plotë ndërkombëtare", ka thënë ai.

Thaçi më teje ka thënë se për të ardhur deri të pavarësia e Kosovës, vendi ka sakrifikuar shumë, duke e kthyer këtë ëndërr në realitet.

"17 shkurti i vitit 2008 është ngjarja më kulmore historike për Kosovën, për popullin e saj. Ne pas sakrificave të shumta të gjeneratave të tëra dhe përpjekjeve një shekullore, arritëm që të shndërrojmë ëndrrën në realitet", ka thënë ai.

Ai gjithashtu, këtë vit e ka cilësuar si vit i Kosovës evropiane, viti i perspektivës së sigurt, i zhvillimit ekonomik, i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve.

Kryeministri ka shpalosur detajet e organizimit për festimin e katërvjetorit të pavarësisë së Kosovës, duke thënë se me rastin e 4 vjetorit të pavarësisë do të kemi edhe organizime të ndryshme shtetërore, duke filluar me seancën solemne të kërkuar nga Qeveria e Kosovës për nesër në ora 14.00, pastaj do të vazhdohet me pritjen e organizuar nga presidentja në orën 18.00, gjithashtu edhe të premten me parakalimin e FSK-së në Sheshin “Nëna Terezë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›