E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton deklaratën kundër referendumit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën e cila kundërshton referendumin në veri të Kosovës me 10 nene të hartuar nga shefat e grupeve parlamentare, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje këtë deklaratë e ka kundërshtuar dhe ka abstenuar gjatë votimit. Nga 82 deputet sa ka qenë në sallë, 64 kanë votuar për, asnjë kundër ndërsa 9 deputet kanë abstenuar.

Deklaratës, e cila ishte e hartuar prej 9 neneve, pas propozimit të deputetit Sabri Hamiti, i është shtuar edhe një nen.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabnovci ka thënë se duke u bazuar në nenin 42 pika 2, si dhe në nenin 49 pika 2 të rregullores së punës së kuvendit, grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës propozojnë këtë deklaratë, lidhur me mbajtjen e referendumit të strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.

Ai ka dhënë edhe arsyetimin që mbajtja e këtij referendumi nga strukturat ilegale serbe ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës, ndërsa ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që të miratojnë këtë deklaratë.

“Mbajtja e referendumit nga strukturat ilegale serbe në veri të Kosovës ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Serbia me këtë akt ilegal ka shkelur rendin, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Andaj ne e konsiderojmë të domosdoshme nxjerrjen e kësaj deklarate”, ka thënë Grabovci.

Në anën tjetër, Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së ka pas vërejtjet e tij, duke thënë se kjo deklaratë është e propozuar nga grupet parlamentare dhe nuk duhet të thuhet nga PDK-ja apo nga LDK-ja. Ky grup parlamentar i ka dhënë mbështetjen miratimit të kësaj deklarate.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka deklaruar se kjo deklaratë përfshinë disa pika të panevojshme, si dhe e betonon planin e Ahtisarit.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes do të abstenoj në votimin e kësaj deklarate të kuvendit me qenë se në të janë përfshirë dy pika të panevojshme. Të dyja këto që e thërrasin dhe e betonojnë planin Ahtisarit, si dhe për shkak se mungon një pikë tjetër në të që do të kërkonte masa konkrete në pengimin e mbajtjes së një referendumi të tillë i cili është duke u mbajtur në komunat e pjesës veriore”, ka thënë Ymeri.

Ai, më vonë, në një prononcim për Kosovapress ka thënë se plani i Ahtisarit nuk është zgjidhje as për veriun e as për Kosovën. Për më tepër ai ka shtuar se plani i Ahtisarit është praktikisht problemi dhe në të hidhet fara e ndarjes së Kosovës në vija etnike e fetare dhe duke krijuar njëkohësisht asimetri kompetenca dhe mundësi mes komunave të Kosovës.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Ardian Gjini duke e quajtur këtë referendum të paefektshëm i ka dhënë mbështetjen kësaj deklarate.

“Gjithsesi Grupi Parlamentar i AAK-së e miraton deklaratën që e ka propozuar vet. Teksti fillon me 42 pika 2 si dhe nenin 49 pika 2 të rregullores së punës së kuvendit. Grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës propozojnë këtë deklaratë të tillë e mbështesim dhe me siguri edhe për atë pjesë të veriut të Kosovës që këtë referendum e konsiderojmë si të pa efektshëm legalisht duhet të implementohet vetëm dokumenti i presidentit Ahtisari”, ka thënë Gjini.

Edhe Myzejene Selmani, shefe e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re ka përkrahur miratimin e kësaj deklarate.

Por në diskutimet e deputetëve ka pas vërejtje. Njëri nga ta ka qenë deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, i cili ka thënë se duhet të mbështet kjo deklaratë, por me disa ndryshime duke futur edhe një nen që e shpall të paligjshëm dhe të pavlefshëm këtë referendum.

“Kuvendi i Republikës e kundërshton e shpall të paligjshëm e të pavlefshëm referendumin e strukturave paralele në komunat veriore të Kosovës të financuara e të drejtuara nga Republika e Serbisë, kundër pavarësisë, sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Hamiti.

Ky nën më pastaj nga të gjitha grupet parlamentare, përveç atij të Vetëvendosjes është futur në nenin e pestë të deklaratës.

Vërejtje rreth kësaj deklarate ka dhënë edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke zënë në gojë shpeshherë strukturat paralele serbe.

Por emri i strukturave paralele është komentuar edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se do të vjen dita që këto struktura kanë me u quajt agresion i Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës.

“Strukturat paralele siç po i quajmë, por po ju them që ka me ardhur një ditë e shpejt dhe kemi me i quajt me emrin e tyre të vërtet dhe emri i tyre i vërtet unë mund me thanë tash është agresion i Serbisë në një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, Kuvendi ka vazhduar me miratimin e disa projektligjeve, siç ishte ai shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbime këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural.

Po ashtu shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Arkivat, shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Punës, shqyrtimi i Propozim-Programit të punës së Kuvendit, për vitin 2012 dhe shqyrtimi i kërkesës së Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për afat shtesë për ta shqyrtuar Projektligjin për regjistrimin dhe evidencën e të papunësuarve dhe punëkërkuesve.

Gjithashtu Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së sotme ka miratuar një deklaratë, e cila kundërshton referendumin e mbajtur në pjesën veriore të Kosovës.

Teksti i deklaratës.

Nën 1) duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës neni 1, pika 1, i cili thotë Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm,

Nën 2) të gatshëm për mbrojtjen e gjitha konventave ndërkombëtare që garantojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe të drejtat e pakicave,

Nën 3) duke shprehur mbështetjen për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe implementimin në tërësi të propozimit gjithëpërfshirës për zgjedhjen e statusit final të Kosovës,

4) duke ri konfirmuar vullnetin për integrim institucional dhe shoqëror të komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës,

5) Kuvendi i Republikës e kundërshton, e shpall të paligjshëm, e të pavlefshëm referendumin e strukturave paralele në komunat veriore të Kosovës, të financuara e të drejtuara në Republika e Serbisë, kundër pavarësisë, sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

6) Duke u bazuar në veprimin institucional brenda rregullave që ofron rendi juridik dhe kushtetues i Republikës së Kosovës,

7) Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon të ashtuquajturin referendum të organizuara nga strukturat jolegjitime të komunave Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe e konsideron cenim të rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës,

8) Kuvendi i Republikës së Kosovës konstaton se ky referendum i organizuar nga struktural ilegale nuk prodhon asnjë efekt juridik dhe politik dhe si i tillë është i pavlefshëm.

9) Organizimet e tilla jashtë institucionale dhe ilegale, nuk prodhojnë kurrëfarë efekti legal dhe kushtetues, por dëmtojnë përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për integrim të komuniteteve serbe në jetën institucionale, dhe

10) Kuvendi i Republikës së Kosovës inkurajon komunitetin serb të pjesës veriore që sa më shpejt të angazhohet në implementimin gjithëpërfshirës për zgjedhjen e statusit të Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›