Vazhdon të jetë e tensionuar situata politike në Maqedoni – opozita kërkon largimin e Gruevskit
Opozita maqedonase nuk heq dorë nga protestat dhe format tjera të shprehjes së pakënaqësisë ndaj mënyrës se si u miratua të hënën buxheti për vitin 2013.
Prej të martën në mbrëmje deri të premten opozita për ;do ditë do të bllokojë të gjithë udhëkryqet kryesore në qytetet më të mëdha në vend, kurse të shtunën do të organizohet protestë e madhe në Shkup para selisë së VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Nikolla Gruevski. Lideri i opozitës Branko Cërvenkovski ka paralajmëruar se qëllimi final i protestave do të jetë rrëzimi i siç e ka quajtur, regjimit totalitar në pushtet.
“Prej sot fillon rezistencë e re ndaj pushtetit. Qëllimi final është kthimi i rendit kushtetues dhe demokracisë, prandaj ky regjim totalitar duhet të rrëzohet. Të hënën u varros demokracia. Kthim mbrapa nuk ka. Në mënyrë të dhunshëm u rrahën ata që e përfaqësojnë zërin e popullit, ata që e mbrojtën bastionin e fundit të demokracisë. Opozita nuk do të marrë pjesë në kurrfarë zgjedhje deri sa nuk krijohen kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike, gjë që pushteti aktual nuk ka kapacitet ta mundësojë”, nënvizoi Cërvenkovski.
Mirëpo kryeministri Nikolla Gruevski e ka akuzuar opozitën për tentim për marrje të pushtetit në mënyrë të dhunshme. Gruevski ka paralajmëruar shfrytëzimin e të gjitha mjeteve të nevojshme për të mbrojtur kushtetutën dhe ligjet.
“Duke pasur parasysh se Branko Cërvenkovski paralajmëroi vazhdim me skenarin humbës të tij, dëshiroj të potencoj se ne jemi të gatshëm për të gjitha skenarët e mundshme me qëllim mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe mbrojtjen e kushtetutës dhe ligjeve”, deklaroi ai
Policia ka bërë bilancin final të ngjarjeve të së hënës, kur u përleshën përkrahësit e pushtetit dhe opozitës. Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski ka deklaruar se gjatë protestave janë lënduar 11 pjesëtarë të policisë, kurse janë arrestuar 3 protestues. Ai ka paralajmëruar padi penale për pjesëmarrësit në protestat e dhunshme, ndërsa i pyetur nëse do të ngrihet padi edhe ndaj liderit të opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski është përgjigjur:
“Po do të ketë, po punohet në këtë drejtim. Në periudhën në vijim do të analizohen të gjitha xhirimet që të identifikohen pjesëmarrësit dhe në mënyrë adekuate do të procedohen”, u shpreh zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Lidhur me ngjarjet e ditës së hënë ka reaguar edhe presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, duke shprehur keqardhje për ndodhitë Brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit.
“Çdokush në këtë shtet është i obliguar të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe askush nuk duhet të pengohet gjatë kryerjes së obligimeve profesionale. Të gjitha subjektet politike duhet të shërbejnë për realizimin e interesave të qytetarëve”, thuhet në reagimin e presidentit Ivanov. Ndërkohë faktori politik shqiptar më tepër nga distance po vëzhgon ngjarjet që ndodhën para dhe pas miratimit të buxhetit. Partia shqiptare në pushtet BDI ka reaguar me një komunikatë me shkrim, ku porositet se konfrontimet politike nuk guxojnë të kërcënojnë funksionet themelore të shtetit si dhe mirëqenien dhe rehatinë e qytetarëve. Reagime kanë ardhur edhe nga Brukseli ku po ashtu apelohet për ruajtje të rendit dhe qetësisë.
...