E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon të kundërshtohet amnistia

Edhe përkundër dekretimit të Ligjit të shumë përfolur për amnisti nga presidentja Jahjaga, shoqëria civile akoma nuk pajtohet me këtë ligj. Ata sërish kanë shprehur kundërshtimin e tyre duke e quajtur këtë ligj kundërkushtetues. Ndërsa fati i peticionit të nënshkruar nga rreth 13 mijë qytetarë të cilët i janë bashkuar thirrjes së shoqërisë civile për të kundërshtuar ligjin, nuk dihet.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kundërshtoi ashpër Ligjin për Amnisti sepse sipas tij përmbajtja e Ligjit për Amnisti asnjëherë nuk ka qenë e nivelit të duhur, dhe nuk i ka shërbyer qartë qëllimit politik, të cilit është dashur t’i shërbej.

“Këtë e vërtetoj edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili hoqi disa nene kundërshtetuese, të cilat cënon të drejtat e palëve për të shfrytëzuar mjetet efikase juridike. Poashtu, në arsyetimin e këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se këtij ligji i ka munguar qëllimi i qartë politik”, deklaroi Musliu për Indeksonline.
Edhe analisti Ardian Arifaj mendon se ky ligj është në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës. Ai kundërshton ashpër nënshkrimin e ligjit nga ana e presidentes Jahjaga.

“Gjykata kushtetuese ka thënë se disa nene të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës edhe Presidentja e Kosovës e ka ditur këtë fakt dhe e nënshkruar ligjin. Si mundet të hyn ne fuqi një ligj që bie ndesh me Kushtetuten e Kosovës” , tha Arifaj.

Sipas Betim Musliut Ligji për Amnisti ka derivuar si rezultat i negociatave në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të amnistohen strukturat paralele, me qëllim që të integrohen, pasi kanë kryer krime duke kundërshtuar rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës,.

“Në këtë ligj, parashihet që të amnistohen këto krime vetëm deri në datën 20 qershor 2013. Dhe kjo është menduar kështu që të kontribuoj sa më shpejt në zbatimin e planit për marrëveshjen e 19 prillit të arritur në Bruksel. Por, tash kemi një situatë të re paradoksale të krijuar, pas kontestimit të projektligjit për amnisti, të cilin tash Gjykata Kushtetuese e pastroi nga nenet kundërkushtetuese. Situata paradoksale ka të bëjë me qëllimin e këtij ligji, i cili tash bie për shkak të periudhës së caktuar për amnisti. Tash amnistia do të bëhet për krimet listuara në ligj që janë kryer deri më datën 20 qershor 2013, por përfaqësuesit e strukturave paralele që kanë pritur të amnistohen dhe të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë kryer krimet e njëjta kundër rendit juridik dhe kushtetues edhe pas datës 20 qershor 2013, psh me 4 korrik 2013 kanë themeluar Kuvendin e Kosovës në pjesën veriut të Mitrovicës dhe aty themeues janë të gjithë përfaqësuesit e serbëve, të cilët duhet të ndiqen sërish penalisht”, tha Musliu.

Musliu mendon që ky ligj nuk do të ketë asnjë efekt pozitiv në drejtim të integrimit të strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës sepse sipas tij të njëjtit përfaqësues duhet të ndiqen penalisht nga Republika e Kosovës.
“Këto veprime, si themelimi i Kuvendit të Kosovës nga serbët, dëshmojnë qasjen joserioze të Serbisë, të cilët në sipërfaqe "tregojnë" përkushtim për normalizim të marrëdhënieve, ndërsa në terren edhe pas marrëveshjes së prillit inkurajojnë, financojnë, shtyjnë dhe organizojnë kryerjen e veprave penale nga serbët në veri dhe pjesët tjera të Kosovës dhe kjo na sjell në përfundim se paria e Serbisë janë vetëm demagogë të skajshëm dhe se ky vend si dhe institucionet e saja politike e religjioze e kanë mishëruar krimin, racizmin, fashizmin dhe destabilizimin e rajonit”, përfundon Musliu.

E nga ana tjetër, ata të cilët e inicuan peticionin kundër këtij ligji, peticion për të cilin mblodhën rreth 13 mijë nënshkrime, nuk japin përgjigje se çfarë në fakt i ndodhi këtij peticioni. Ilir Deda, ish këshilltari i presidentes Jahjaga, tani drejtues i KIPRED, nuk ka dashur të thotë asnjë fjalë rreth peticionit të cilin ai vetë e inicoi, se çfarë ka ndodhur me nënshkrimet e mbledhura, apo cilat do të jenë veprimet e grupit të shoqërisë civile në të ardhmen për të kundërshtuar ligjin në këtë formë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›