Vazhduan luftimet mes Izraelit dhe Hamasit

Burimet palestineze thonë se dy fëmijë kanë humbur jetën nga sulmi izraelit në jug të Gazës.
Palestinezët po ashtu kanë hedhur të paktën 20 raketa në territorin izraelit.
Dhuna ndërmjet Izraelit dhe Gazës është intensifikuar qysh të mërkurën e kaluar, kur Izraeli ka vrarë shefin ushtarak të Hamasit, lëvizjes islamike që kontrollon Gazën.
Mbi 100 palestinezë dhe tre izraelitë thuhet të kenë humbur jetën në shtatë ditë luftime.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, sërish ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
Ban ka apeluar nga Kajroja, pas bisedimeve rreth krizës me shefin e Ligës Arabe, Nabil Elaraby.
“Jam këtu për të apeluar personalisht për fundin e dhunës dhe për të ofruar ndihmën time në përpjekjet e vazhdueshme për të arritur armëpushim”, ka thënë Ban.
Në anën tjetër, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, u nis në udhëtimin e saj për në Jerusalem, Ramallah dhe Kajro.
Ajo do të takohet me liderë rajonalë, duke filluar nga partnerët izraelitë, me të cilët do të konsultohet rreth situatës në Gaza.
Vizita e saj do të ndërtohet mbi angazhimin amerikan me liderët rajonalë, përfshirë angazhimin intensiv të presidentit Barack Obama me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin egjiptian, Mohammed Morsi, për ta përkrahur qetësimin e dhunës dhe përfundimin e sulmeve me raketa në qytetet izraelite, si dhe për rikthimin e qetësisë në atë rajon.
Raportohet se sekretarja Clinton pritet që ta nënvizojë interesimin e SHBA-së për një rezultat paqësor që e mbron interesin e Izraelit dhe stabilitetin rajonal.