Vdiq foshnja në operacion, një vit burg mjekëve
TIRANË- Prokurorisë së kryeqytetit iu deshën 20 seanca gjyqësore, të zhvilluara brenda 10 muajve që të arrijë në përfundimin se dy mjekët, kirurgu-stomatolog Ramazan Isufi dhe anestezisti Bensar Shuteriqi janë fajtorë për vdekjen e foshnjës 16 muajsh Orgest Dardha tetorin e vitit 2006. Sipas konkluzioneve të prokurorit të çështjes, Hysni Mulaj, dy të pandehurit Isufi e Shuteriqi që gjykohen në gjendje të lirë janë fajtorë për kryerjen e veprës penale të “mjekimit të pakujdesshëm” ndaj foshnjës 16- muajsh nga Maqellara e Dibrës Orgest Dardha. Fëmija gjeti vdekjen në sallën e operacionit gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në qiellzë vetëm tre muaj pas kryerjes së një operacioni tjetër për dhjamë.
Sipas prokurorit dy të pandehurit për kryerjen e kësaj vepre penale, duhet të dënohen nga Gjykata e Shkallës së Parë me nga një vit burg secili. Kjo masë e dënimit, sipas familjarëve, është qesharake, pasi neni për të cilën prokuroria i deklaroi fajtor parashikon nga dënimi me gjobë e deri në 5 vjet burg. Sipas prokurorit, neglizhenca e dy mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kirurgu-stomatolog Isufi dhe anestezisti Shuteriqi ka sjellë vdekjen e foshnjës 16 muajsh. Prokurori Mulaj, përveç provave të mbledhura për këtë çështje, paraqiti para togave të zeza edhe akt-ekspertizën e kryer nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore, të cilët në përfundimin e tyre saktësojnë se neglizhenca e mjekëve ka sjellë vdekjen e foshnjës. Me leximin e konkluzioneve përfundimtare nga prokurori, gjyqtari Konstandini ndërpreu seancën gjyqësore duke i lënë dy javë kohë avokatëve mbrojtës të përgatisin pretendimet e tyre përfundimtare. Sipas prokurorit, hetimi i rastit në fjalë ka nisur pas denoncimit të familjarëve të foshnjës 16 muajsh të cilët akuzuan për vdekjen e djalit të tyre dy mjekët që morën përsipër operimin e fëmijës. Ndërkohë, kryerja e akt-ekspertimit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për nxjerrjen e shkakut të vdekjes, ka qenë thelbi i akuzave për prokurorin, që renditi një sërë shkeljesh të konstatuara në këtë akt-ekspertim. Sipas ekspertizës me nr. 230 që i referohet kartelës klinike nr. 46 71 23 të QSUT-së, në bazë të së cilës, fëmija Orgest Dardha është shtruar në repartin e kirurgjisë maksilo-faciale më datë 9 tetor 2006, i planifikuar, me diagnozë shtrimi “palatoschizis completa” (defekt i qiellzës). Po atë ditë, fëmija është futur në sallën e operacionit, por që nuk ka mundur të dalë i gjallë prej saj. Bazuar në të dhënat e dokumentacionit të marrë në shqyrtim, Mjekësia Ligjore rendit edhe përfundimin. “Në plotësimin e akteve ligjore dhe nënligjore e protokolleve mjekësore, në ndjekjen mjekësore të fëmijës Orgest Dardha vërehen këto mangësi: në kartelë mungon ora e shtrimit, nuk është përcaktuar grupi i gjakut, nuk është dokumentuar me firmën e familjarëve pro operacionit para ndërhyrjes, ka mangësi në të dhënat anamnestike (në anamnezën e jetës thuhet që fëmija nuk ka kaluar sëmundje tjetër, ndërkohë që ai ishte operuar nga hernie inguinale), ka parregullsi në kronologjinë e plotësimit të kartelës (në krye të faqes së dytë, shënimet i përkasin orës 12:00, më poshtë i përkasin orës 10:26), mungon evidentimi i konsultës preoperatore (para operacionale), nuk janë vlerësuar të dhënat e ekzaminimeve, rezultatet e të cilave mund të bëheshin shkak për mos futjen e fëmijës në intervenim (radioskopia ka evidentuar vatra bronkopneumonie bilaterale parahiliare, zemra e zmadhuar, konstatimi nga anestezisti... fëmija i zbehtë, me sekrecione bronkiale, rale bronkiale...), nuk ka të dhëna nëpërmjet ekzaminimeve për ekzistencën ose jo të patologjive të tjera (mungon EKG, Echo e zemrës, ndërkohë që zemra ka qenë e zmadhuar), mungon evidentimi i reanimimit preoperator, nuk është kërkuar bërja e autopsisë, nuk është bërë analiza e vdekjes”,- thuhet në ekspertizë.
HISTORIA
Çfarë ndodhi me foshnjen 16- muajsh
TIRANË- Fëmija është ndjekur nga mjeku Ramazan Isufi dhe anestezisti-reanimator, Bensar Shuteriqi. Familjarët (e ëma, gjyshi dhe xhaxhai) pretendojnë se sapo e kanë paraqitur djalin në spital, mjeku Isufi u ka kërkuar të bëjnë urgjentisht analizat e Orgesit, pasi do t’i bënte menjëherë ndërhyrjen kirurgjikale në qiellzë. Ndërkohë që gjyshi dhe nëna kanë ndjekur urdhrin e shefit të pavijonit, dhe është bërë një “shtesë” me stilolaps në listën e operacioneve të planifikuar për datën 9 tetor 2006 (emri i Orgestit është futur midis dy të tjerëve). Pas marrjes së analizave, të cilat mjeku Isufi i ka konsideruar të rregullta dhe pa “probleme”, megjithëse fëmija kishte vetëm 3 muaj që ishte bërë operacion për dhjamë, është futur në sallën e operacionit po atë ditë, nga e cila nuk ka dalë më.