Vdekja e 3 ushtarëve amerikanë gjatë stërvitjes në Lituani, kryeministri Rama: Lajm tragjik, Shqipëria qëndron me SHBA

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh ngushëllimi për humbjen e jetës së 3 ushtarëve amerikan gjatë stërvitjes në Lituani. Në një postim në X, Rama e konsideron lajmin tragjik, teksa thekson se Shqipëria qëndron në krah të Shteteve të Bashkuara.
“Lajm tragjik nga Lituania. Humbja e ushtarëve amerikanë gjatë stërvitjes së fundit ushtarake është një kujtesë e dhimbshme e rreziqeve që mbart ata që shërbejnë. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e tyre. Si gjithmonë, Shqipëria qëndron me Shtetet e Bashkuara dhe Komandantin e saj të Përgjithshëm”, shkruan Rama.
Tre prej katër ushtarëve amerikanë, të cilët ishin zhdukur në Lituani prej javës së kaluar, janë gjetur të vdekur këtë të hënë (31 mars), ka thënë ushtria amerikane, pasi ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin automjetin e blinduar prej një moçali. Ushtarët fillimisht u raportuan të zhdukur gjatë stërvitjeve ushtarake në një qendër trajnimi në qytetin lindor Pabrade, afër kufirit me Bjellorusinë.
/rtsh.al/