E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Emmy-t, 4 dëshmi të reja

Zbardhen katër dëshmi të papublikuara më parë, pjesë e dosjes penale ndaj biznesmenit Aziz Kelmendi i dënuar në Gjykatën e Tiranës për “vrasje nga pakujdesia” ndaj këngëtares Elsina Hidershaj, (Emmy). Dëshmitë janë në dosjen që deklaroi fajtor biznesmenin dhe e dënoi me 1.4 vjet burg, duke pezulluar vuajtjen në qeli. Ky vendim është zbardhur ditën e djeshme nga Gjykata e Tiranës. Dëshmitë, që i përkasin mikeshave të këngëtares, citohen në vendimin e arsyetuar të gjyqtarit Arben Micko, i zbardhur pak ditë më parë. Në këto dëshmi, zbulohen detaje të marrëdhënies mes biznesmenit dhe këngëtares, si edhe arsyet e acarimit të marrëdhënieve mes tyre, që përfundoi tragjikisht në orët e para të 27 shkurtit të këtij viti në Tiranë. Elsina Hidersha u aksidentua nga automjeti i drejtuar nga Kelmendi. Ajo ishte kapur me duar te xhami i hapur i anës së shoferit, kur automjeti filloi të lëvizë. Pak sekonda më pas, për shkak të një frenimi të automjetit, ajo u përplas me tokën. Nga plagët e marra, ajo ndërroi jetë pak orë më vonë në spital. Dy javë më parë, Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor për ngjarjen të akuzuarin Azis Kelemndi dhe e dënoi me 1 vit e 4 muaj burg. Në të njëjtin vendim, gjykata urdhëroi lirimin e biznesmenit, pasi dënimi i tij u pezullua me kusht që i pandehuri për pjesën e pavuajtur, prej 10 muaj e 7 ditë, të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale. Në vijim, publikohen pjesë nga dëshmitë e administruara në dosjen e Kelmendit.

Nga dëshmia e Arbiola P.
Gjatë qëndrimit me Elsinën, rreth një vit me parë, jam njohur prej saj dhe me shtetasin Aziz Kelmendin, të cilin ma ka prezantuar Elsina si të dashurin e saj. Takimin e parë me Azizin dhe Elsinën e kemi bërë tek “Mondiali”, ku kemi pirë kafe të tre. Pasi kemi pire kafe për herë të parë, unë së bashku me Elsinën dhe Azizin jam takuar dhe dy-tre herë të tjera po tek ky lokal. Ata rrinin të dy së bashku, ata kanë shkuar bashkë në Zvicër, Ulqin, Gjermani, Budva dhe shumicën e kohës në Kosovë. Në momentin që unë jam takuar me Azizin, ajo kishte rreth 8-9 muaj që kishte lidhje me të. Më kujtohet një moment në muajin korrik, në përvjetorin e parë të lidhjes së tyre, pasi më telefonoi Elsina, e cila me pyet se si ishte koha në Velipojë, pasi ajo donte të shkonte në Ulqin për të bërë njëvjetorin e lidhjes me Azizin dhe do të shkonin të rrinin atje. Pasi ndenjen katër ditë në Ulqin , Elsina ka ardhur te shtëpia ime në Velipojë dhe ka ndenjur me mua rreth 10 ditë. Gjatë bisedave tona që bënim si shoqe të ngushta në lidhje me Azizin, ajo thoshte që ishte shumë e dashuruar me të dhe në çdo bisedë tonën ishte në plan të parë Azizi. Para Vitit të Ri 2011, Elsina kishte shkuar në Kosovë për t’i bërë surprizë Azizit, me të cilin ishte takuar te hoteli i Azizit, Elsina i kishte kërkuar që të rrinin bashke, por Azizi i kishte ndodhur një e papritur, pasi kishte ardhur gruaja nga Gjermania, gjë që s’ia thoshte dot Elsinës. Azizi i kishte kërkuar Elsinës që të nisej për në Shqipëri dhe të takoheshin në Shqipëri, por ajo e kishte ndjekur pas Azizin deri te shtëpia e tij. Kur ai kishte shkuar në shtëpi, ajo i kishte rënë derës së shtëpisë së tij dhe i kishte kërkuar Azizit të takohej me gruan e tij për t’ia bërë prezent lidhjen e tyre. Azizi i ishte lutur që të largohej, por ajo nuk ishte larguar kështu që ai kishte kërkuar ndihmë nga rojet e hotelit, të cilët e kishin larguar atë. Këtë ngjarje ma ka treguar Elsina. Pas kësaj ngjarjeje, jam takuar dhe me Azizin, i cili gjatë bisedës që kam bërë me të më ka kërkuar që t’i them Elsinës që ta linte të qetë në jetën e tij dhe të mos i krijonte probleme dhe shqetësime në familjen e tij.
Unë kam biseduar me Elsinën për këtë problem, por ajo ishte e paqëndrueshme në mendimet e saj, pasi mua me thoshte do ta le dhe nuk do ta shqetësoj më, por nga ana tjetër e merrte përsëri në telefon. Elsina ishte tip impulsive dhe shumë e dashuruar me Azizin, saqë nuk kishte moment të qëndrueshme. Ajo shpeshherë bënte veprime te pakontrolluara, të cilat vinin nga dashuria që kishte për Azizin. Me kujtohet një rast, në gusht të 2010-s, kur unë isha me Elsinën dhe me një kushërirën time I., ku erdhi Azizi dhe, pasi ndenjëm një farë kohe, ai u largua. Por në momentin që u largua nuk e përshëndeti ngrohtësisht Elsinën, e cila, nisur nga ky fakt, në momentin që Azizi po kthente makinën, i doli përpara dhe nuk e lejonte të ikte. Azizi kur e pa këtë veprim të saj, ndaloi dhe ata u përshëndetën. Elsina ishte shume xheloze ndaj i bënte këto veprime dhe nuk donte ta shikonte Azizin me vajza të tjera.
Të nesërmen e ngjarjes shkuam te shtëpia e saj te Kodra e Diellit, së bashku me disa shoqe të saj dhe ndenjëm deri rreth orës 20:30 të darkës kur erdhi trupi i saj. Të nesërmen kam shkuar përsëri te shtëpia e saj rreth orës 12:00 , pasi rreth orës 14:00 u bë varrimi. Pas tre ditësh, kam shkuar përsëri me shoqen time M. dhe I. te shtëpia e Elsinës, ku na priten familjaret e saj, të cilët na pyesnin rreth asaj çfarë ne dinim. Ata me pyesnin mua më tepër, pasi unë kisha shoqe të ngushtë Elsinën, nëse dija që ajo të kishte lidhje intime me Azizin apo ai ta kishte kërcënuar Elsinën. Ne i thamë se nuk kishim dëgjuar apo kuptuar se Azizi e kërcënonte Elsinën, përkundrazi ai sillej mirë me të ku mesa di unë ai e kishte ndihmuar duke sponsorizuar si vidioklipet, si dhe çfarëdo lloj dëshire që ajo kishte. Gjatë kësaj bisede, babai i saj dhe vëllai i madh i saj Lani na kërkoi që nëse na merrnin në pyetje ne të deklaronim se Azizi me Elsinën nuk kishin pasur lidhje sentimentale. Në pasdite unë mora në telefon vëllain e vogël të Elsines, me të cilin u takuam te Rruga e Durrësit, të cilit i thamë se në kishim dijeni të lidhjes sentimentale me Azizin dhe nëse na pyesnin si mund të thoshim të kundërtën. Ne i treguam se unë dija shume momente të lidhjes së tyre, si dhe isha në dijeni se asnjëherë Azizi nuk e kishte kërcënuar Elsinën, por përkundrazi ai me kishte kërkuar mua ndihmë që t’i flisja Elsinës që ajo ta linte të qetë dhe të mos i krijonte shqetësime në familje.
Dëshmia e Malvina Sh.
Pasi u njoha dhe me Azisin, gjatë bisedës me Elsinën, duke parë moshën e Azizit, e pyeta se çfarë i pëlqente tek ai. Ajo më tha se e donte dhe e pëlqente si individ. Unë e pyesja Elsinën pasi kisha dyshimet e mia në lidhjen e tyre, pasi e dija se Azisi e ndihmonte shumë në karrierën e saj si këngëtare, por në përgjigje të Elsinës dalloja që ajo e donte me të vërtetë Azisin, jo vetëm për ndihmën qe ai i jepte, por edhe si person. Mesa më ka treguar Elsina, ajo kishte rreth një vit e gjysmë qe e kishte të dashur Azisin. Nga sa kam dëgjuar gjatë bisedave rreth muajit janar të vitit 2011 , Elsina kishte pasur debate me Azisin në Kosovë, pasi ajo kishte tentuar të krijonte shqetësime në familjen e Azisit duke e bërë prezente lidhjen e tyre. Pas kësaj ngjarjeje, jam takuar rastësisht te “Mondiali” me Azisin. Ai më ofroi një kafe dhe shkuam të pinim një kafe tek “O…”. Unë i thashë pse nuk e pimë kafën te “Mondiali”. Ai me tregoi se vjen Elsina për kafe dhe nëse e shikonte, ajo mund të bëhej keq dhe mund të krijonte situata të ndryshme. Gjatë bisedës, Azisi më tha: “Unë Elsinën e kam dashur 100%, por gjatë kohëve të fundit si dhe sipas debatit të fundit në Kosovë, dashuria ime për të ka rënë në 70%, pasi sjellja e saj është bërë shumë agresive dhe ka filluar të krijojë situate për të më prishur harmoninë familjare, gjë të cilën unë ja kam bërë prezente që në fillim të lidhjes”. Ai më kërkoi mua të ndërhyja tek Elsina dhe t’ja bëja prezent se veprimet e saj ishin të gabuara dhe të nxituara dhe se ajo nuk duhej të sillej në atë mënyre si dhe të mos krijonte probleme me familjen e tij dhe në shoqërinë e tij, pasi ajo merrte shpesh në telefon shokët e Azisit. Ai me tha se “e kishte mbyllur lidhjen e tij me Elsinën dhe se donte të mos kishte shqetësime prej saj”.
Nga dëshmia e Inermis P.
Herën e fundit me Elsinën ka qenë më datë 11.02.2011, ku kemi pire një kafe tek lokali tek Fusha e Zeze. Kemi ngrënë më pas darke te Tirana e Re dhe, gjate bisedës me të, ajo fliste vetëm për Azizin, ku thoshte se e donte dhe nuk mund të shkëputej dot nga ai. Unë, si më e madhe dhe duke ditur situatën dhe duke e ditur që Azizi ishte i martuar dhe kishte fëmijë, pasi unë jam edhe vete familjare, i thashë të shkëputej dhe nuk duhej ta shqetësonte me Azizin, pasi çdo gjë e ka një fund. Ajo gjatë bisedës më thoshte se nuk mund të shkëputej dot prej tij, pasi e donte shumë. Në asnjë moment të bisedave tona ajo nuk më kishte shprehur apo unë vetë të kisha dëgjuar që Azizi t’a kërcënonte ndonjëherë Elsinën. Unë gjatë gjithë bisedave të tyre si dhe bisedave në telefon kam dëgjuar vetëm fjalë të ëmbla dhe të bukura nga Azizi në drejtim të Elsinës.
Nga dëshmia e Andrea H.
Azizi ishte duke folur në celular dhe ishte brenda në makinën e tij, në sediljen e shoferit. Kjo goca ka hapur derën e pasagjerit përpara, të makinës së Azizit, dhe ka hipur brenda në makinë, duke bërtitur “Ku je ti ?” etj. Unë u çudita nga kjo skenë dhe hapa derën e pasagjerit para, ku kishte hipur kjo goca. Sapo hapa derën e makinës së Azizit, unë pashë se kjo goca hapi kroskotin e makinës dhe kapi disa dokumente. Azizi ia hoqi nga duart dhe mbylli kroskotin. Në këtë moment, kjo goca me drejtohet mua “Ç’bën, mirë je?”. Unë i thashë “Unë mire jam, po ti kush je që po na shqetëson?”. Në këtë moment më foli Azizi: “Të lutem na lër të sqarohemi pak, largohu pak “. Atëherë unë kam mbyllur derën dhe jam larguar pak metra larg makinës së Azizit. Pasi kanë biseduar rreth pesë minuta, ajo goca ka zbritur e nxehur dhe e acaruar nga makina e Azizit, ka hipur në makinën e saj “Golf 4″, dhe është larguar te shkolla Teknologjike. Pasi hipa në makinë, ai më tha: ” Kjo është ajo goca që kam probleme. Po ndërrojmë makinat për të shkuar te shtëpia ime, kur të çojmë pajisjet, sepse kjo goca mund të më ndjekë “. Azizi ishte shumë i shqetësuar sepse ajo goca mund t’i mësonte adresën e apartamentit të tij në Tiranë. Pasi punëtorët e firmës kanë ngarkuar pajisjet, unë mora makinën e Azizit, ndërsa Azizi mori makinën time. Edhe në ditët në vijim, Azizin e shihja të shqetësuar, madje ai filloi të pinte pije alkoolike. Disa herë Azizi më kishte thëne ajo goca nuk me shqitet, nuk me lë rehat dhe me bezdis shumë, por emrin e kësaj goce Azizi nuk ma ka treguar.

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›