E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Gadafit, reagimi botëror

Gadafi ishte zotuar se do të vdiste duke mbrojtur vendin e tij teksa mallkonte NATO-n, e cila ndihmoi fushatën ushtarake të kryer nga KKT-ja kundër regjimit të tij.

Vdekja e ish-Liderit Libian, është përcjellë me interes të madh nga i gjithë globi duke tërhequr edhe vëmendjen e liderëve kryesorë të botës. Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti francez janë vetëm disa prej liderëve që reaguan pas vrasjes së liderit që sundoi Libinë për mbi 42 vjet. Ja dhe disa prej reagimeve të liderëve botëror:

Ban Ki-Moon, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së

“Kjo ditë shënon një tranzicion historik për Libinë. Në ditët e ardhshme ne do të përballemi me skena festimi po ashtu sikurse edhe me skena mjerimi për ata që kanë humbur kaq shumë. Tani është koha që të gjithë libianët të bashkohen.  Libianët mund të realizojnë premtimin e së ardhmes për bashkim dhe pajtim kombëtar. Kjo është koha për shërim dhe rindërtim, për bujarinë e shpirtit, jo për hakmarrje.”

Herman Van Rompuy, President i Bashkimit Evropian

“Vdekja e Gadafit shënon fundin e një epoke despotizmi. Vdekja e Gadafit gjatë betejës për Sirten do të thotë fund represionit nga i cili libianët kanë vuajtur prej kaq kohësh”.

David Kameron, kryeministër i Britanisë së Madhe

“Populli i Libisë pas këtij lajmi ka shanse më të madha për ndërtimin e një të ardhmeje me demokraci të fortë”.

Silvio Berluskoni, kryeministër i Italisë

“Tashmë lufta mori fund”.

Nikolas Sarkozi, President i Francës

“Zhdukja e Muamar Gadafit është nja hap i madh përpara në betejën e popullit të Libisë, prej më shumë se tetë muajsh, për të çliruar veten nga regjimi diktatorial dhe i dhunshëm që është vendosur mbi ta prej më shumë se 40-vjetësh”.

Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë

“Me këtë, merr fund një luftë e përgjakshme, një luftë të cilën Gadafi e udhëhoqi kundër popullit të tij. Tani Libia duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë drejt demokracisë dhe të marrë frytet e pranverës së pakthyeshme arabe”.

Unioni Afrikan

Unioni Afrikan njoftoi se ka hequr pezullimin e Libisë nga pjesëmarrja në institucionet e tij, dhe se do të autorizojë autoritetet aktuale të Libisë që të zënë vendin e tyre.

Senatori amerikan, John McCain

Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me aleatët evropianë dhe partnerët arabë, tashmë duhet të rrisin mbështetjen për popullin e Libisë teksa ata përpiqen të kryejnë fazën tjetër të revolucionit demokratik.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2011-10-20 19:55
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›