E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Gligorov, Berisha e Topi mesazhe ngushëllimi

TIRANE-Presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha kanë dërguar mesazhe ngushëllimi pasi kanë mësuar për vdekjen e ish-Presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi dërguar homologut të tij, Gjorgje Ivanov, shpreh ngushëllimet e sinqerta për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov.

“I nderuar zoti President, Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Kiro Gligorov. Më lejoni që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh Juve, familjarëve të të ndjerit dhe mbarë popullit të Maqedonisë ngushëllimet më të sinqerta!

Me këtë rast, shpreh vlerësimin tim për rolin dhe kontributin e rëndësishëm të këtij personaliteti në jetën politike dhe shoqërore të Maqedonisë, si President i parë i vendit tuaj pas rënies së Jugosllavisë.

Ju lutem pranoni, zoti President, ndjenjat e solidaritetit të sinqertë të popullit shqiptar në këto momente të vështira!” – theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Topi.

Berisha
Kryeministri Sali Berisha ngushëlloi kryeministrin e Maqedonisë Nikola Gruevski dhe familjen e të ndjerit Kiro Gligorov, ish-President i Maqedonisë. Kreu i qeverisë theksoi se humbja e Gligorov, është një humbje e madhe jo vetëm për Maqedoninë.

“Vdekja e ish Presidentit të Republikës së Maqedonisë Kiro Gligorov, është një humbje e madhe për Maqedoninë dhe miqtë e saj në Rajon dhe në Botë.
Si themelues i shtetit të pavarur të Maqedonisë dhe presidenti i pare i zgjedhur në mënyrë demokratike i saj, Kiro Gligorov dha një kontribut të çmuar në paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë dhe të rajonit të jugut të Ballkanit si dhe në bashkëpunimin rajonal.

Me urtësi dhe vendosmëri Gligorov përballoi përpjekjet për përfshirjen e Republikës së Maqedonisë, nën ombrellën e Serbisë si dhe përpjekje të tjera që synonin skenarë të tjerë për këtë vend mik.

Me këtë rast dëshiroj t’ju shpreh Ju zoti kryeministër dhe familjes së të ndierit Gligorov, ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë të vendit mik dhe të lutem bashkë me Ju, që shpirti i presidentit Gligorov të gjejë paqen e merituar”, citon kryeministri në mesazhin e tij të ngushëllimit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›