E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Godos, politika shpreh ngushëllime


Presidenti Bamir Topi: “Ndarja nga jeta e Sabri Godos është një lajm i dhimbshëm për familjen dhe shoqërinë shqiptare. Godo përfaqëson një politikan moderator në politikën shqiptare të 20 viteve të fundit dhe një personalitet me emër në fushën e kulturës”.

Kryeministri Sali Berisha: “Ndarja nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, politikanit të urtë dhe të mençur, themeluesit të Partisë Republikane në Shqipëri, shkrimtarit të shquar dhe mikut tim, Sabri Godo, është një humbje e madhe për ju, politikën dhe letrat e Shqipërisë. Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit, i cili dha një ndihmesë të çmuar në zhvillimet politike të njëzet viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e ligjeve të vendit, dialogut dhe mirëkuptimit midis shqiptarëve. Me mjeshtërinë e Tij të madhe, talentin e rrallë, Ai ishte kolosi i romanit historik në letrat shqipe, të cilat i pasuroi me vepra të pavdekshme. Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos politika shqiptare humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual shqiptar humbi njërën prej mendjeve më të ndritura të saj, letrat shqipe korifeun e romanit historik të tyre”.

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli: “Zoti Godo ka qenë deputet i Kuvendit në dy legjislatura; në detyrën e Kryetarit të Komisionit të Punës, Çështjeve sociale dhe Shëndetësisë gjatë vitit 1996-1997 dhe në detyrën e Kryetarit të Komisionit për politikën e Jashtme gjatë viteve 1997-2001. Zoti Godo për disa vite ishte Kryetar i Partisë Republikane, shkrimtar dhe historian i njohur. Me ndarjen nga jeta të zotit Godo, familja humbi njeriun e dashur, bota e letrave një shkrimtar, Partia Republikane, themeluesin e saj”.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama: “Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i PS-së, por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes. Sabri Godo do të çmohet gjithnjë prej nesh për konseguencën e tij në mbrojtjen e interesave e vlerave tona kombëtare”.

Partia Republikane: “Shqipëria humbi politikanin e urtë dhe vizionar dhe shkrimtarin e shquar. Sabri Godo vendosi mbi çdo gjë interesin kombëtar”.

Ilir Meta, kryetar i LSI-së: “Politikës do t’i  mungojë fjala e urtë e Sabri Godos. Ai ishte një shembull i qetësisë dhe maturisë dhe një nga hartuesit e Kushtetutës së vendit”.

PDIU: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të politikanit dhe patriotit të madh, Sabri Godo. Shqiptarët nga të gjitha trevat, nga Çamëria në Kosovë, humbën një personalitet të shquar të skenës politike dhe shoqërore, një zë të matur dhe të fuqishëm të çështjeve të mëdha të kombit tonë. Humbja e Sabri Godos është një trishtim për mbarë kombin shqiptar, i cili i është mirënjohës për aktivitetin e tij politik kombëtar”.

AK: “Aleanca Kuq e Zi vlerëson maksimalisht rolin e madh të politikanit dhe njëkohësisht penën e artë të shkrimtarit Sabri Godo. AK thekson kontributin e Godos në jetën politike dhe ndihmesën e madhe që i ka dhënë Shqipërisë me shkrimet historike, si dhe punën e politikanit Sabri Godo në denoncimin e plagëve ogurzeza të Vorio Epirit”.
/Start/

                                                                                             2011-12-03 17:20
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›