Projekti i gazsjellësit TAP, kryeministri italian, Monti vizitë në maj në Shqipëri
Koha po ngushtohet dhe duhet të përshpejtojmë për ta çuar përpara projektin më konkurrues për ndërtimin e gazsjellësit nga Azerbajxhani drejt Europës. Kështu ka deklaruar drejtori për marrëdhëniet me jashtë i Projektit TAP, Michael Hoffmann, i cili ndodhet në Bruksel për një seri takimesh me institucionet europiane dhe ambasadat e të gjitha vendeve që përfshihen në këtë projekt.
Sipas tij ky projekt aktualisht është i vetmi finalist në Mesdhe ende në garë për furnizimet e Shah Deniz nga Kaspiku, apo i korridorit të jugut, duke kaluar nga Shqipëria drejt Italisë, i cili ka si qëllim të kthehet edhe në furnizuesin e të gjitha tregjeve emergjente të Ballkanit Perëndimor. Projekti jonë, afirmon Hoffmann, është projekti i vetëm që përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë kandidate apo kandidatë potencial për tu aderuar në Bashkimin Europian. Një aspekt ky që bëhet më dominues edhe për zgjerimin e ardhshëm të BE, kundrejt projektit tjetër Nabucco, që përfshin vetëm Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë dhe Austrinë.
Menaxheri i TAP, është shprehur në Bruksel se aktualisht gara është e fortë mes të dy projekteve dhe për këtë ka kërkuar edhe mbështetjen e autoriteteve italiane. Projekti i gazsjellësit TAP, për Italinë është e vetmja mundësi për t’u furnizuar direkt nga Kaspiku. Pas përjashtimit nga gara të ITGI nga Shah Deniz, nuk duhet të humbasim më kohë ka thënë Hoffmann. Zgjedhja finale e Shah Deniz do të jetë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm dhe për të fituar garën projekti ynë TAP ka nevojë për mbështetjen e Italisë, e cila për ndryshe rrezikon të mbetet jashtë, ka deklaruar Hoffmann.
Drejtori për marrëdhëniet me jashtë të TAP, ka sqaruar se punimet për ndërtimin e gazsjellësit në Puglia do të nisin në dimër dhe ka siguruar se nuk do të ketë asnjë impakt në territorin bregdetar. Hoffmann ka thënë se tashmë topi kalon në duart e qeverisë italiane, duke shtuar se pikërisht për këtë është parashikuar që në muajin maj kryeministri Mario Monti do të mbërrijë në Shqipëri dhe në axhendën e të dy kryeqeveritarëve do të jetë projekti TAP.