Vdekja e Leka Zogut, PDIU-ja ngushëllon familjen mbretërore
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka ngushëlluar sot familjen mbretërore dhe të gjithë mbështetësit e saj për humbjen e Leka Zogut I.
Në mesazhin e ngushëllimit PDIU vlerëson kontributin e familjes mbretërore në konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar me frymë patriotike, nën drejtimin e Mbretit Zog I, si edhe në përpjekjet e vazhdueshme në të mirë të kombit të të birit, Naltmadhënisë së Tij, Leka Zogu I.
“Jeta në mërgim ku është detyruar të jetojë Leka Zogu I nuk ka mposhtur përpjekjet e tij në të mirë të atdheut. Përmes sakrificave dhe luftës së vazhdueshme, ai u kthye në simbolin e rezistencës antikomuniste, gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri, duke i dhënë figurës së tij një rëndësi historike” thuhet në ngushëllimin e PDIU-së.
Më tej PDIU-ja thekson se Leka Zogu I, ashtu sikurse edhe i ati i tij, mbante titullin Mbret i Shqiptarëve, duke mishëruar më së miri, idenë e bashkimit kombëtar dhe nevojën e të gjithë shqiptarëve për të qenë të bashkuar. “Këto janë arsye të mjaftueshme që familja mbretërore të gëzoj një status të veçantë, sikurse në shumicën e vendeve të botës, çka ende është një detyrë për t`u plotësuar nga qeveria shqiptare. PDIU ngushëllon familjen mbretërore dhe në veçanti, princin Leka Zogu II për këtë humbje” përfundon PDIU-ja.