Vdekja e binjakëve, ekzaminohen ushqimet e një fondacioni
DURRËS - Pas vdekjes së binjakëve në fshatin Fllakë të Durrësit, ekspertë të policisë kanë marrë nëpër shtëpi të ndryshme të fshatit ushqime që janë shpërndarë nga një fondacion. Bëhet fjalë për biskota dhe qumësht, ushqime me të cilat nëna e binjakëve ka ushqyer fëmijët e saj mbrëmjen e së mërkurës. Në orët e pasdites së të shtunës një furgon policie është rikthyer në fshatin Fllakë të Durrësit. Ka qenë pikërisht koha kur familja Vajdulla po priste miqtë që u kishin ardhur për përcjelljen e fëmijëve në varrim, si dhe për ngushëllim. Ekspertë të policisë kanë kërkuar për të marrë për ekzaminim disa nga ushqimet e përdorura prej nënës së fëmijëve. Dyshohet se qumështi dhe biskotat, ushqime me të cilat janë ushqyer binjakët, kanë qenë të skaduara. Rreth kësaj ngjarjeje, policia nuk ka dhënë asnjë deklaratë, por të dhënat e marra nga banorët e Fllakës tregojnë se specialistët kanë qenë në fshat prezent deri rreth orës 20:30 të kësaj dite. Sipas njërit prej tyre, policia nuk ka marrë ushqime vetëm në familjen ku ka pllakosur gjëma, por edhe nga familjet e tjera, të cilat kanë marrë ushqime në formë ndihmash nga një fondacion që kryesohet nga një shtetas me origjinë, sipas fshatarëve të Fllakës, nga Brazili. Ky veprim i policisë tregon se ajo po ndjek pistën e helmimit dhe kontrolli edhe i ndihmave të tjera shton dyshimin se policia kërkon të parandalojë ndonjë tragjedi tjetër. Familja Vajdullla ka qenë familje e varfër dhe nuk ka pasur mundësi të blejë qumësht farmacie për të ushqyer fëmijët e vegjël dhe kanë përdorur qumësht ndihmash, si dhe biskotat e dhuruara për ushqim. Kjo, me sa duket , duke qenë se edhe vogëlushët nuk kanë qenë rezistentë, ka çuar në helmimin e tyre në orët e vona te natës dhe vdekja e tyre ka qenë thuajse e menjëhershme pas reaksionit të shkaktuar nga ushqimi i skaduar.
***
Në shtëpinë Vajdulla u hapën dyert për mort. Familjarët theksojnë se këto janë punët e Zotit dhe nuk fajësojnë askënd, përveçse kërkojnë që shteti të zbardhë shkakun e vdekjes. Ata janë bërë fatalistë përderisa, sipas gjyshes së tyre, Selvie Vajdullës, para 35 viteve një vdekje e tillë kishte goditur familjen e tyre dhe pikërisht me vdekjen e një vajze të vogël në të njëjtën moshë me binjakët. "Edhe ajo, - thotë gjyshja, - ishte vetëm 5-muajshe".
Ndërsa kryefamiljari, Genti Vajdulla, rrëfen për momentet e vdekjes së fëmijëve të tij: "Gruaja u dha qumësht të zakonshëm, pasi nuk kemi para për të blerë qumështin në farmaci. Këtë ushqim gruaja e përzieu me biskota për bebet dhe ua dha. Pak orë më pas kur i kontrolluam, fëmijëve u qe ftohur hunda dhe fytyra, ndërkohë që në gojë kishin shkumë të bardhë. E kuptuam se kishin vdekur. Ishin momente tmerri që nuk dua t'i kujtoj më, pasi gruas i ra të fikët",- thotë babai.
Familja Vajdulla dhe e tërë Fllaka kanë përcjellë për në varrezë binjakët. Varrimi është kryer vetëm pas përfundimit të autopsive në morgun e Durrësit, të cilat priten të zbardhin edhe enigmën e vdekjeve të parakohshme. Arkivolët e vegjël u vendosën në varrezat e fshatit Shën-Vlash, aty ku prehen edhe pjesëtarë të tjerë të fisit Vajdulla. "Ishin të vegjël, por shërbimet ua kemi bërë sikur të ishin të rritur. I kemi varrosur ngjitur me njëri-tjetrin, në dy varre të ndryshme, pikërisht aty ku prehet burri dhe vajza ime", - thotë gjyshja 60-vjeçare Selvije Vajdulla me lot në sy.
***
Binjakët Besarta dhe Muharrem Vajdulla gjetën vdekjen ndërsa gdhinte e enjte. Pasi janë ushqyer nga nëna e tyre me qumësht e biskota, fëmijët janë vënë në gjumë. Por në kontrollin e bërë nga e ëma rreth orës 2:00 të mëngjesit, ata kishin ndërruar jetë, teksa në cepat e buzëve kishin shkumë të bardhë. Policia është njoftuar me vonesë edhe për shkak të largësisë nga qyteti. Pas kryerjes së autopsisë, foshnjave u janë marrë edhe kampione të cilat po ekzaminohen nga mjekët ligjorë. Këta të fundit shprehen se rezultatet e analizave pritet të dalin brenda tri ditësh. Ndërkohë, kthimi i policisë në fshatin Fllakë dhe marrja e kampioneve biskota e qumësht të shpërndara në këtë zonë nga një fondacion çon në përfundimin se shkak për vdekjen e foshnjave ka qenë pikërisht helmimi.