Të huajt pa viza, 131 të prapësuar në 2009
Kreu i Policisë, Sajmir Boshnjaku, tha se mbetet problem sistemi i vizave në rrjet, personeli i pakët në dispoziocion në aeroportin e Rinasit
TIRANE- Drejtoria Rajonale e Policisë Kufiftare dhe e Migracionit të Tiranës, ka mundur
të vjelë afërsisht 16 milionë lekë të reja gjoba nga kompanitë e ndryshme ajrore në vend,
për shkak se në 54 raste ato janë vënë re se kanë sjellë më tepër se 131 persona me shtetësi të ndryshme të cilët nuk kanë qenë të pajisur me vizë hyrëse në vendin tonë. Po kështu në shumë raste, mbetur pa u kthyer edhe të huajt që nuk kanë pasur me vete shumën e nevojshme të parave për të qëndruar në Shqipëri. Këto si dhe shumë shifra dhe statistika të punës vjetore të Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit të Tiranës janë bërë të ditura dje gjatë analizës vjetore të kësaj të fundit të zhvilluar në ambientet e Hotel "Tirana International", në kryeqytet. Personeli i pamjaftueshëm Veç rezultateve për të cilat foli Boshnjaku gjatë fjalës së tij, në Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në veçanti, në aeroportin e Rinasit, ai pohoi se ka pasur probleme të karakterit logjistik për shkak të mungesës së fondeve dhe numrit të vogël të personelit. Gjatë prezantimit të shifrave,
ai pohoi se ishte në përgatitje regjistri kombëtar i të huajve që ndodhen në territorin e vendit tonë si dhe sistemi online i vizave që do të shmangte në shumë raste edhe mundësitë e falsifikimeve, apo gabimeve të oficerëve në kufi. Ndërkaq, në listën e atyre që shkelin më shpesh territorin e shtetit shqiptar dhe qëndrojnë në vendin tonë, në krye qëndrojnë turqit, të cilët kanë marrë 2200 leje qëndrimi, duke mbajtur më shumë se gjysmën e aplikimeve nga afërsisht 4 mijë të tilla në total. Drejtori i Kufirit dhe Migracionit për Tiranën dhe Elbasanin, Sajmir Boshnjaku, gjatë prezantimit të shifrave tha se janë referuar në Prokurorinë e Rrethit më tepër se 151 dosje penale për hetim të mëtejshëm, nga Seksioni i Hetimit të kësaj drejtorie. Sipas tij, janë kryer rreth 100 kontrolle në bazë të territorit që mbulon kjo drejtori, nga të cilët 76 nga Sektori Migracionit Tiranë dhe 21 i përkasin Elbasanit. Ndërkaq, Boshnjaku tha se janë pëzënë nga territori ynë me urdhër largimi 22 persona me shtetësi të huaj, të cilët qëndronin në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, si me mungesë dokumentacioni, apo pa leje qëndrimi, apo që iu kishin skaduar lejet e qëndrimit. Nga gjobat e vendosura nga ky Institucion janë mbledhur më tepër se 20 milionë lekë të reja në total, një pjesë e mirë e të cilave në euro dhe një pjesë e vogël në dollarë.
Ndërkaq, nga kontrollet e vazhdueshme që janë kryer në aeroportin e Rinasit, oficerët e hetimit të këtij komisariati, kanë bllokuar dhe hetuar persona të ndryshëm për mos deklarim të të ardhurave në pikën e kalimit kufitar, kontrabandë etj. Ndërkaq, nuk kanë munguar procedimet për falsikim dokumetesh vizash, pasaportash e vulash që në total kapin shifrën e 151 personave.