E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e ish-të dënuarit, Tufa: Do ta çojmë në vend fjalën e Bejkos

TIRANE - Ish-të përndjekurit politikë shprehin keqardhje për vdekjen e ish-të burgosurit politik Lirak Bejko, me të cilin ata ndanë çadrën e grevës për plot 20 ditë.

Ish-të dënuarit kërkojnë që homazhet për të ndjerin të zhvillohen në ambientet e Institutit të të Përndjekurve Politikë, ndërkohë që shprehen të vendosur të vijojnë kauzën e tyre.

Ish i përndjekuri Skënder Tufa, i cili koordinoi grevën e urisë, deklaroi për mediat se bashkëvuajtësit e Bejkos do ta çojnë deri në fund fjalën e tij.

“Shteti diktatorial vazhdon të vrasë me heshtjen e tij. Ne në mënyrë paqësore sot i kërkojmë drejtorit të institutit të ish të përndjekurve që në momentin që do vijë trupi i Lirak Bejkos të nderohet në institut. Kjo derë është mirë të hapet, që të mos thyhet. Do të vijnë njerëz nga gjithë Shqipëria për t’i bërë homazhe këtij heroi.”- deklaroi Tufa.

Më tej Skënder Tufa bëri të ditur se trupi i pajetë i Lirak Bejkos pritet të mbërrijë nga Italia ditën e dielë, por ekziston edhe mundësi që ardhja e tij të vonohet.

Lirak Bejko kishte afro 20 ditë që luftonte me vdekjen në një nga spitalet e Barit në Itali, derisa mëngjesin e ditës së premte, rreth orës 11:30 minuta, trupi i tij nuk i ka përballuar më dhimbjet dhe zemra i ka ndaluar së rrahuri.

(vijon)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›