E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e oficerit te SHISH-it dyshime te reja per vrasjen

Oficeri i SHISH-it mund të jetë vrarë e pastaj të jetë djegur.

Policia e Durrësit ka zbardhur detaje të reja për vdekjen makabre të 47-vjeçarit Esat Çoba.

Ajo sqaron se trupi i karbonizuar i tij është gjetur në sediljen e pasme të makinës, ndërsa në tavanin e autoveturës u konstatua një vrimë dalëse e shkaktuar nga qitje me armë.

Gjithashtu, policia ka gjetur brenda automjetit 1 armë zjarri (pistoletë Makarov, që rezultoi të jetë arma e tij e shërbimit) dhe 1 gëzhojë.

Ndërkaq, po nga policia, konfirmohet se Esat Çopa, rreth orës 16.30, ka shkuar në banesën e motrës së tij ku ka marrë një bidon plastik 5-litërsh, i cili mendohet t’i ketë shërbyer për transportimin e lëndës djegëse të përdorur më pas prej tij.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme, policia çon në konkluzionin se kemi të bëjmë me një vetëvrasje, por sipas të cilëve nuk hidhet poshtë as ajo e vrasjes

Zhdukja e 49-vjeçarit, babi i një fëmijë, punonjës që prej 11 vitesh pranë Shërbimit Informativ Shtetëror Dega Durrës, është njoftuar nga familjarët e tij se kishte humbur kontaktet me to.

Për të zbardhur ngjarjen në bashkëpunim me strukturat e SHISH-it Durrës, u angazhuan ne terren shërbime të shumta policie.

Me të vënë në dijeni të ngjarjes, policia ka nisur hetimet dhe ka qenë pikërisht gjurmimi i celularit që ka lokalizuar vendin ku ndodhej Esat Çoba, pasi sipas informacioneve zyrtare të policisë së Durrësit, edhe pse makina e trupi i agjentit të Sektorit të Ndjekjes së të Huajve në SHIK, ishte djegur, celulari kishte shpëtuar.

Automjeti tip Opel Corsa me targa te Tiranes i djegur dhe me gjurme benzine sipas policisë, është shkrumbuar totalisht e bashkë me të dhe trupi i 49 vjeçarit, i cili ishte i karbonizuar.

Sipas policisë, trupi i Çobës është gjetur i shtrirë në sediljen e pasme, me një dorë që e mbante në pjesën e poshtë të kokës, ndërsa në pjesën sipërme te kokës konstatohej lehtë një e çarë.

Për hetimin e ngjarjes, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës u krijua një Grup Hetimor me specialistët më të mirë të hetimit të krimit, ekspertë të Laboratorit Kriminalistik dhe ekspertë mjeko-ligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët po vijojnë kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme në funksion të zbardhjes së plotë të ngjarjes

Mësohet se rreth orës 18.30 të së hënës ky shtetas i ka dërguar 1 SMS lamtumire djalit të tij dhe më pas, ka humbur kontaktet me familjarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›