E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e prokurorit Karaj, dy mjekë me forcë në gjykatë

Gjykata e Durrësit ka urdhëruar që
të thërrasë me forcë dy mjekë të
qendrës spitalore "Nënë Tereza" në
Tiranë. Ali Refatllari dhe Spiro Qirko duhet
të dëshmonin katër muaj më parë në procesin
që po zhvillohet në Durrës, për vdekjen
e prokurorit të Prokurorisë së Tiranës,
Dorian Karaj. Sipas akuzës së Durrësit, ai ka
ndërruar jetë nga mjekimi i pakujdesshëm.
Të pandehur për këtë çështje janë mjekët
Kozma Tavanxhi dhe Afërdita Nushi, me
detyrë infektologë në qendrën spitalore
"Nënë Tereza" në Tiranë. Ata akuzohen se
kanë kryer veprën penale të "mjekimit të
pakujdesshëm". "Me shtrimin e prokurorit
Karaj në urgjencën e pavijonit të infektologjisë,
dy të pandehurit Tavanxhi dhe
Nushi kanë ngritur hipoteza për prekjen e
tij nga sëmundja e hepatitit, prekje të cipës
së tëmthit, tifo, meningjit etj., për të cilat i
kanë rekomanduar edhe mjekimet përkatëse,
të cilat kanë rënduar gjendjen shëndetësore
të prokurorit", thuhet në dosjen e
prokurorisë. Për këtë çështje, ka filluar gjyqi
në Gjykatën e Durrësit. Pas thirrjes së njëpasnjëshme
të dy mjekëve, Refatllari dhe
Qirko, gjykata e ka parë të arsyeshme që të
lajmërojë Policinë e Tiranës dhe të shoqërojë
me forcë dy të akuzuarit. Seanca e radhës
është më datën 21 janar. Sipas akuzës,
prokurori Dorian Karaj është shtruar në spitalin
infektiv më datën 3 tetor 2005. Deri më
10 tetor, ai ka marrë mjekime për sëmundjet
e mësipërme. Shtatë ditë pas shtrimit në
spital, me ndërhyrjen e xhaxhait të tij, Karaj
ka kryer një vizitë nga kardiokirurgu i QSUTsë,
i cili ka konstatuar se i sëmuri vuan nga
bikuspid të aortës (zgjerim të kanaleve të
gjakut që furnizojnë aortën), endokardit,
infeksion të valvulave aortale, si dhe një
kthim të madh gjaku në ventrikulin e majtë
të aortës. Këto konkluzione profesori i kardiokirurgjisë
i ka vërejtur gjatë kryerjes së
ekzaminimit të zemrës me Echo-Transezofagiale,
duke rekomanduar urgjentisht ndërhyrje
kirurgjikale për zëvendësimin e valvulës
aortale. Por, gjatë konsultave me
mjekët e tjerë, ata u kanë shpjeguar familjarëve
që nuk është urgjente, pasi ndërhyrja
mund të priste. E ndërsa familjarët e
prokurorit endeshin nëpër korridoret e Ministrisë
së Shëndetësisë për rregullimin e dokumenteve
për dërgimin e tij në Turqi,
prokurori Karaj ndërroi jetë në orën 18:00 të
datës 10 tetor 2006, shtatë ditë pas shtrimit
në spital. Pas vdekjes, specialistët në akt-ekspertimin
mjekoligjor kanë arritur në konkluzionin
se "në fazën e shtrimit nuk është
bërë përcaktimi i një skeme të qartë mjekimi,
mungon mjekimi intensiv konform
gjendjes së të sëmurit, ka mungesa të një
mjekimi kirurgjikal të shpejtë dhe elementë
të mjekimit të pakujdesshëm, kryesisht nga
mjekët infeksionistë, që kanë pasur
përgjegjësi për ndjekjen e të sëmurit". Në
kërkesën që i është dorëzuar gjykatës,
mjekët infeksionistë, të cilët kanë ndjekur të
sëmurin, ishin Kozma Tavanxhi dhe Afërdita
Nushi. Sipas kërkesës për gjykim, të përpiluar
nga prokurorja e Durrësit, Enkeleda Xhengo,
dy të pandehurit kanë konsumuar veprën
penale të "mjekimit të pakujdesshëm", pasi
mjekimi i tyre ka rezultuar i kotë. Dy të akuzuarit,
nëse deklarohen fajtorë, rrezikojnë
dënimin nga gjobë deri në pesë vjet burg. Hetimet
e çështjes janë kryer nga Prokuroria e
Durrësit, pasi dosja është transferuar atje,
për shkak se hetimi i çështjes nuk mund të
bëhej nga e njëjta prokurori, ku Dorian Karaj
ka qenë punonjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›