Vdekja e shqiptarëve nga shpërthimi në fabrikë, 5 vite burg italianit (VIDEO)
Itali- Një gjykatë në Itali ka dënuar me pesë vite burg pronarin e një fabrike në Milano, pasi një vit më parë si pasojë e një shpërthimi humbën jetën katër persona, dy prej të cilëve shqiptarë.
Mediat italiane informojnë se kreu i fabrikës së grumbullimit të mbeturinave industriale, Giovanni Merlino, u përball me akuzën e vrasjes së shumfishtë pa dashje, trafik të paligjshëm të mbeturinave dhe të shkeljes së normave të sigurisë.
60-vjeçari ka thënë para trupit gjykues se ishte i vetëdijshëm për mungesën e kushteve të sigurisë, pasi edhe mbeturinat tepër të rrezikshme trajtoheshin njësoj si të tjerat, por kjo sipas tij gjeneronte fitime të mëdha.
Arrestimi i tij erdhi pasi dyshohet se i njëjti fenomen mund të ndodhë edhe në fabrikat e tjetera në pronësi të tij.
Ngjarja tragjike ndodhi në vitin 2010 pasi nga shpërthmi i fuqishëm në fabrikën Eureco në Paderno Dugnano humbën jetën dy shqiptarët nga Peqini Leonard Shehu, 37 vjeç dhe Harun Zeqiri, 44 vjeç.
Përveç burgimit pronari i fabrikës është i detyruar të dëmshpërblejë familjet e viktimave, ndërsa janë vendosur edhe gjoba për dëmet që i janë shkaktuar zonës përreth dhe Institutit të Sigurimeve Kundër Aksidenteve në Punë.