E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e shtatzënës, Koja: Shkak, abuzimi që po bëhet me mjekësinë

TIIRANË-Ish-Ministri i Shëndetësisë Gjergji Koja u shpreh sot se nëse në spitalin e Lacit do të kishte mjek të specializuar do të ishte evituar tragjedia me vajzën e re që humbi jetën nga problemet kardiake teksa përpiqej të sillte në jetë beben e saj.

Në rubrikën “Opinion” në News24 i intervistuar nga Ola Bruko, Koja theksoi se vdekja e 22-vjecares shtatzënë është një rast që dëshmon për abuzimet që bëhen në fushën e mjekësisë. Sipas Kojës, braktisja e rretheve nga mjekët e rinj po bëhet fenomen që sa vjen dhe rritet.

“Kjo sot ishte një ngjarje shumë e rëndë, një ngjarje që dëshmon me humbje jete të 2 fëmijëve, duhet vërtet që ata që po drejtojnë këtë sektor duhet të venë disa dispozita pune. Rasti në fjalë është i disati, ka pas dhe në Tiranë, faji ka mbetur jetim. Cështja tani nuk është të kapim fajtorin, por të parandalojmë që do të ndodhin në të ardhmen. Dalim në një moment tjetër që shndërrohet në gangrenë dhe ky është keqinterpretimi dhe abuzimi me fushën e mjekësisë. Pse e them këtë? Hetimi do bëjë punën e tij, por nëse do ishte mjeku përkatës në Laç, ndoshta do ishte evituar tragjedia”.

Koja vuri në dukje se Ministria e Shëndetësisë mbyll syte para fenomenit ku qindra studentë që mbarojnë specializimet nuk punojnë në vendet e caktuara, por enden në Tiranë të papunë në pritje të një pune në spitale.

“Me mijëra specializantë që mbarojnë degë të Mjekësisë i gjen pa punë në Tiranë, në radhë të gjata dhe kanë zbrazuar dhe shkelur kontratën me Ministrinë e Shëndetësë për të punuar në atë spital ku ishte vendosur të punonte. Breza të tërë specializantësh që shkelin këtë kontratë dhe specializantët i ke në Tiranë dhe nuk kane prioritet specializimin për llogari të spitalit që e morën dhe Ministria është në dijeni të këtyre dhe nuk ndjehet. Ka ardhur momenti tani që të vendosen kushte eksplicite”, theksoi Koja.

Reagimi vjen në kuadër të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Lezhë, ku një 22-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën në spitalin e Lezhës, ku u paraqit me probleme të rënda kardiake. Mësohet se Lorena Imeri, nga fshati Shullaz i Kurbinit, ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe kishte shkuar për të lindur në spital, por ka humbur jetën përpara se të sillte në jetë foshnjën e saj.

Familjarët tregojnë se e kanë çuar me urgjencë vajzën fillimisht në spitalin e Laçit, por aty nuk kishte mjekë të specializuar dhe për këtë arsye janë detyruar ta dërgojnë në Maternitetin e Lezhës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›