Vdekja e simbolit tonë
Sot në Kosovë mbajmë zi. Zyrtarisht nuk është ditë zie, por në zemrat tona flamujt i kemi në gjysmështizë. Ka vdekur simboli i suksesit dhe i tragjedisë sonë. Ka shkuar përgjithmonë aktori ynë më i mirë dhe më i madh. Nuk është më Bekim Fehmiu.
* * *
Nuk e kam njohur shumë personalisht. Por në Kosovë nuk është dashur ta njohësh personalisht Bekim Fehmiun për të ditur dhe për të ndier atë dhe veprën e tij. Në vitet kur jemi rritur, unë dhe gjenerata ime, duke u bërë të vetëdijshëm për atë që na rrethon, Bekim Fehmiu ishte idhulli ynë. Njeriu, çfarë donim të bëheshim të gjithë. Ai ishte Marlon Brando e Jean Paul Belmondo ynë. Madje, edhe kur luante rolin e Borës së Bardhë nga mëhalla e romëve. Bekimi për ne ishte një dëshmi se nëse e meritojmë me talent e punë, mund të arrijmë edhe lartësitë më të mëdha, deri në kulm të botës e madje edhe tek yjet në qiell – përkundër pengesave që na i vendosnin ata që nuk na duan. Ai ishte shqiptar që arriti sukses aty ku shqiptarët nuk i dëshironin dhe atje ku as që i njihnin. Ishte yni edhe kur aktroi me më të njohurit e kohës së vet, prej aktorëve John Houston, Ava Gardner dhe Claudia Cardinale, e deri tek Irena Papas, Candice Bergen e Charles Aznavour. Në vitet kur nisëm të piqemi dhe të kërkonim vendin e barabartë nën diell, ai ishte simboli ynë. Simbol i krenarisë dhe i parimeve, prej të cilave nuk hoqëm dorë edhe kur e patëm më së vështiri. Ishte yni, jo pse u lind si shqiptar, por sepse si njeri i madh kurrë nuk e mohoi veten, madje edhe kur kjo i sillte dhembje e pikëllim. Ishte kampion i vërtetë, që u tërhoq kur u bë e qartë se kolektivisht na kanë shtyrë në rrugën e tragjedisë, kur euforia antishqiptare arriti pikën e vlimit, ndërsa retë e zeza të luftërave kishin mbushur qiellin mbi Beograd. U tërhoq nga jeta publike, hoqi dorë nga ajo që më së shumti e deshi – aktrimi – në shenjë proteste ndaj erërave të së keqes që arrinin, e që me gjak i mbushën vendet ku Bekimi u rrit – prej Sarajevës e deri në Kosovë. Për këtë, dhe për shumëçka tjetër, Bekim Fehmiu ishte simbol i shqiptarëve të Kosovës të shekullit XX.
Si djalosh i rritur nga një familje, që vazhdimisht ishte nën goditjen e autoriteteve të Beogradit, prej mbretërisë e deri te koha e pasluftës. Si njeri që është dashur të përpiqet më shumë se të gjithë të tjerët për të marrë atë që ua japin të gjithë të tjerëve. Si talent, i cili do të shkelet në shtëpinë e vet edhe kur të ketë arritur lartësinë prej yllit në botë. Ishte zëri ynë edhe kur heshtte. Ishte gëzimi ynë. Dhe sot është pikëllimi ynë.
* * *
Lajmi ishte i pikëllueshëm, ashtu siç janë pothuajse të gjitha lajmet për humbjet e mëdha e të pakthyeshme. “Në banesën e vet në Beograd u gjet i vdekur Bekim Fehmiu. Policia supozon se bëhet fjalë për vetëvrasje”. Nuk është më Odiseu. Nuk është më as Bora i Bardhë. Nuk është më Cagliostro, e as edukatori special Zharko.
Nuk është më as mundësia që t’i themi sa shumë na ka dhënë, e sa pak i kemi kthyer. Që së paku t’i falënderohemi për ato që bëri si aktor i madh e njeri yni, e t’i kërkojmë të falur për gjithë ato që na është dashur t’ia kthejmë e nuk ia kthyem, si shoqëri e shtet kosovar. Nuk është më Bekimi. Dhe nuk është me rëndësi se si e pse vdiq. Me rëndësi është se si e pse jetoi. E jetoi, ashtu siç e thotë vetë në librin e tij autobiografik - “Shndritshëm e tmerrshëm”. Me ngritjet që i meritoi, me punën e palodhshme e talentin e pashoq dhe rëniet që i “fitoi” për shkak të principalitetit e krenarisë. Ka qenë një njeri i madh në botën që sundohet nga njerëz të vegjël.
(Agron Bajrami është kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore” në Kosovë)
#