Zbulohet organizata e agjentëve të rremë
Dy dibranët që kaluan kufirin shqiptaro-grek si agjentë sekretë nuk janë mashtrues, por pjesë e një strukture joqeveritare që përgatit agjentë të tipit “Xhejms Bond” në Shqipëri, me dijeninë e plotë dhe me bashkëpunimin e autoriteteve shtetërore. Ata kanë qenë anëtarë të një organizate të përbërë nga ish-oficerë policie, që të paktën sipas faqes zyrtare në internet, ka një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shtetërore shqiptare, si Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, SHISH-i dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Në fakt, “agjentët sekretë” që u kapën në Sarandë nuk gëzojnë kurrfarë statusi zyrtar që t’u krijojë lehtësi në aktivitetin e tyre brenda apo jashtë vendit, por janë anëtarë të një organizate joqeveritare që fare hapur rekruton dhe përgatit agjentë sekretë.
Erand Lika dhe Mikel Xheta duhet të dilnin dje para togave të zeza, për të masën e sigurisë pas arrestimit ditë më parë si të dyshuar se mashtronin duke u paraqitur si “agjentë sekretë”. Por seanca gjyqësore nuk është zhvilluar dhe gjykata nuk ka dhënë sqarime për arsyet. Ndërkaq, rreth orës 11:00 të paradites së të enjtes para ndërtesës me fasadë xhami të gjykatës së shkallës së parë në Sarandë është ndalur edhe “Mitsubishi”, me targë TR8066P, ku ishte stampuar qartazi logoja dhe fjala “ANTITERROR”. Njerëzit që kanë udhëtuar me të janë identifikuar si përfaqësues të një shoqate me objekt studimor mbi antiterrorin dhe krimin e organizuar, çka përputhej edhe me informacionin që jepej nga automjeti. Në logot e tij lexohej në gjuhën angleze dhe shqip se institucioni është “Qendra Shqiptare e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar”.
Dy “agjentët sekretë” e kanë përmendur emërtimin e këtij institucioni qyshkur u është bërë intervista e parë në stacionin policor të Qafë-Botës. Madje, sipas shefit të Komisariatit të Kufirit në Sarandë, zotit Ilir Gjoça, për t’u bërë edhe më bindës në deklarimin se i përkisnin kësaj OJQ-je, kanë sugjeruar që vërtetësia e pohimeve të tyre të provohej duke klikuar në adresën e internetit të kësaj shoqate. Gjithsesi, habia e momentit, e shprehur nga zoti Gjoça, ka qenë se si është e mundur që një shoqatë studimesh të provojë anëtarësinë e njerëzve që punojnë për të, përmes dokumenteve kaq të sofistikuara, kur identiteti i një shefi komisariati provohet me një kartë të thjeshtë, të ngjashme me kartën elektronike të identitetit, ndërsa anëtarët e kësaj shoqate kishin karta identiteti gati të pafalsifikueshme, edhe me pjesë metalike. çdo element i stampuar në automjetin që shkoi dje në Sarandë përputhej me atë të dokumenteve që dispononin dibranët e paraqitur si agjentë sekretë.
Erand Lika dhe Mikel Xheta, gjatë hetimeve të zhvilluara kanë deklaruar se në krye të shoqatës së cilës ata kanë pretenduar se i përkisnin, është drejtori i përgjithshëm, Maksim Ferra. Nuk është bërë e qartë nëse ka qenë vetë titullari Ferra, që ka mbërritur dje në Sarandë për zbardhjen e misterit rreth dy të shtirurve si agjentë sekretë. Ajo që ka qenë e mundur të mësohet, është se Prokuroria e Sarandës ka kërkuar paraqitjen dhe deponimin e përfaqësuesve të Qendrës Studimore, duke plotësuar kështu një element të domosdoshëm të zinxhirit hetimor rreth dy “Xhejms Bondëve” të Qafë-Botës.
Gjatë thirrjes dhe deponimit që përfaqësues të kësaj shoqate studimore, me statusin e një OJQ-je të mirëfilltë ka dalë në sipërfaqe një fije shumë e rëndësishme e këtij “lëmshi”. “Erand Lika dhe Mikel Xheta kanë qenë anëtarë të Qendrës Studimore, por janë përjashtuar e nuk janë më”, kanë deklaruar krerët e OJF-së antiterroriste. Kjo ka përforcuar edhe më tej pohimin e bërë pas seancave të para të pyetjes së bërë para prokurorit të Sarandës, që është shprehur dyshues se kishin të bënin me agjentë të mirëfilltë.
Një moment tjetër i debatueshëm ka qenë këto ditë nëse dy “agjentët” kanë kaluar nga pika doganore e Qafë-Botës, duke treguar dokumentet që dispononin, apo kanë ndjekur rrugën e kalimit klandestin për në Greqi. Në një komunikim telefonik komandanti i stacionit të policisë së Qafë-Botës, Selman Shabani, ka deklaruar se “Nuk është e mundur të ndodhë kalimi me dokumente të tilla nga shërbimi policor i efektivit ku jam unë komandant”. Shabani ka këmbëngulur të bindë se kalimi për në Greqi i dy peronave është bërë nga brezi i gjelbër dhe kthimi i tyre si deportivë nga Greqia është bërë përmes pikëkalimit të Qafë-Botës. Të njëjtën gjë kanë pohuar në dëshmitë e tyre në Prokurorinë e Sarandës edhe shtatë policë, efektivë të policisë kufitare, të Sarandës, të cilët nuk kanë pranuar që dy agjentët të kenë kaluar nga pika e kalimit kufitar të Qafë-Botës. Por policia kufitare nuk sqaron pse i ndaloi këta shtetas, kur nuk kishte pasur dijeni për dokumentet që ata dispononin.
#