Koman, çahet anija shpëtojnë mrekullisht 15 pasagjerë
Pasagjerët kanë mundur të dalin në breg me not. Mendohet se anija mund të jetë çarë si pasojë e shkëmbinjve në fund të shtratit të liqenit
TROPOJË Për 15 pasagjerët që ndodheshin në një anije në liqenin e Komanit udhëtimi i djeshëm nuk ka qenë dhe aq i lehtë, pasi një defekt në anije që ka sjellë dhe mbytjen e saj, i ka detyruar ata që të dilnin në breg me not. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima dhe të 15 pasagjerët e anijes që lëvizte nga Komani në drejtim të Fierzës kanë shpëtuar shëndoshë e mirë.
Çarja e anijes
Aventura për të 15 pasagjerët e anijes dhe për ekuipazhin e saj nisi kur mjeti lundrues me të cilin lundronin ka futur ujë nga poshtë dhe është fundosur. Ekuipazhi i anijes në momentin e parë u kanë kërkuar pasagjerëve që të mos alarmohen dhe të ruajnë qetësinë. Ata menjëherë kanë lajmëruar policinë dhe autoritetet lokale për gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin. Sipas burimeve nga policia e Tropojës, rreth orës 12.30 minuta anija e cila është në pronësi të Tonin Zefit, në çastin kur ka mbërritur në vendin e quajtur “Përroi i Selcës”, është vënë re nga ekuipazhi se ka pasur një të çarë të madhe nga e cila ka nisur të futej ujë. Menjëherë drejtuesi i anijes ka dhënë alarmin duke u bërë thirrje atyre që dinin të notojnë që të hidhen në ujë, ndërkohë që për gjashtë pasagjerët që nuk dinin not u është kërkuar që të mbanin të veshura pajisjet e shpëtimit. Fatmirësisht të 15 pasagjerët kanë mundur të dalin në breg të gjithë të palënduar, duke shmangur një tragjedi të mundshme në ujërat e Komanit. Pasagjerët e anijes janë ndihmuar dhe nga fakti se kontakti me ujin e ftohtë të liqenit në këtë stinë të nxehtë nuk ka sjellë probleme për shëndetin e tyre.
Përmbytja
Anija me një kapacitet 40-vendëshe dhe që ishte në pronësi të shtetasit Tonin Zefi, është fundosur në thellësinë 30 metra. Sipas specialistëve, kjo avari ka ndodhur në një pjesë mjaft të ngushtë të liqenit, ku largësia mes dy brigjeve nuk është më shumë se 50m dhe pasagjerëve u duhej të përshkonin me not nja 25 metra për të dalë në anën tjetër të lumit. Në këtë ngushticë përroi i Selcës sjell shumë inerte nga reshjet dhe nuk dihet saktësisht se sa ka qenë thellësia. Jo pak herë në kohërat me shi edhe tragetet janë bllokuar, pasi rrjedha e madhe e lumit që vjen nga shpati i malit e ndan në mes liqenin dhe shpeshherë janë rrezikuar tragetet, dhe është ndërprerë lundrimi mes shumë rreziqesh për udhëtarët. Ky mjet lundrues ishte marrë disa vite më parë nga deti dhe konstruktorët e kishin kolauduar në kushte të mira teknike, por mbetet enigmë shkaku i çarjes, duke mos përjashtuar edhe ndonjë përplasje më shkëmbinjtë në afërsi të përroit. Anija ka kapacitet 40 vende dhe vinte nga Komani drejt Fierzës me më pak se gjysmën e kapacitetit transportues. Në të ndodheshin kryesisht pasagjerë të fshatrave të Pukës dhe Tropojës, të cilët zbresin në stacione të ndërmjetme.