E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes Hobsbawm

Njëri ndër historianët më të mëdhenj të shekullit 20, Eric Hobsbawm (1917), vdiq të hënën në Royal Free Hospital, në Londër, njoftoi familja e tij.

Eric Hobsbawm, që padyshim se ishte njëri ndër intelektualët më me ndikim i traditës marksiste në Britaninë e Madhe, vdiq në moshën 95-vjeçare. Pas vetes la një trashëgimi të pakontestueshme në historiografi dhe në politikën moderne.

Me këtë rast, gazeta britanike ‘The Guardian’ përkujtoi disa nga rreth 20 librat e tij që shënuan të menduarit modern, në mesin e të cilave është edhe historia katër-vëllimshe e shekujve 19 dhe 20 (“Epoka e Revolucionit: 1789-1848”, “Epoka e Kapitalit: 1848-1875”, “Epoka e Perandorisë: 1874-1914”, dhe “Epoka e Ekstremeve” - e botuar në SHBA, me nëntitullin “Historia e Botës, 1914-1991”), e cila zë një vend të veçantë në literaturën botërore.

Hobsbawn ishte anëtar i Partisë Komuniste të Britanisë së Madhe deri në shpërbërjen e saj, më 1989.

Botëkuptimet e tij, Hobsbawm i ruajti me xhelozi, përkundër shumë kontroversave që ndërlidheshin me implementimin praktik të tyre, në veçanti pas invadimit të Bashkimit Sovjetik në Hungari, në vitin 1956, dhe në Çekosllovaki, më 1968. Hobsbawm i dënoi të dy këto intervenime sovjetike.

Shumë vite më vonë, Hobsbawn shkroi se kurrë nuk synoi “të zvogëloj tmerret që ndodhën në Rusi”, por se në vitet e para të projektit komunist besoi se “lindi një botë e re, në mes gjakut, lotëve dhe tmerrit; revolucionit, luftës qytetare dhe urisë”.

"Nuk desha ta ndalja një traditë që ishte jeta ime dhe atë që e mendova kur për herë të parë vendosa që të bëhesha pjesë e saj," sqaroi për gazetën ‘The New York Times’, në vitin 2003.

"Unë ende mendoj se - emancipimi i njerëzimit - ishte një çështje e mrekullueshme. Ndoshta morëm rrugën e gabuar, ndoshta e përkrahëm kalin e gabuar, por ne duhet të jemi pjesë e kësaj gare, ose jeta e njeriut s’vlen të jetohet", përfundoi ai.

Eric Hobsbawm pati një ndikim të madh edhe në themelimin e Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, megjithëse më vonë, gjatë kohës së qeverisjes së kryeministrit Tony Blair, shprehu zhgënjimin e tij të madh nçë këtë parti.

Ndryshe, Eric Hobsbawn u lind në vitin 1917, në Aleksandri të Egjiptit, në një familje çifute britanike. Ai u rrit në Berlin dh Vjenë, deri kur familja e tij nuk u shpërngul në Londër, në vitin 1933. U shkollua në Cambrige, ku ligjëroi për shumë vite me radhë, njësoj sikurse edhe në Birkbeck College, në Londër. Anëtar i Akademisë Britanike u bë në vitin 1978, ndërsa mirënjohja mbretërore Companion of Honour – që është një raritet i vërtetë për marksistët britanikë - iu nda në fund të viteve të 90’a.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›