E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes demonstruesi i katërt, trupi i Aleks Nikajt sot në Atdhe

TIRANE- Do të kthehet sot në atdhe trupi I 36 vjecarit Aleks Nika, I cili u plagos me plumb në kokë gjatë demonstratës së 21 janarit në Bulevardin përpara Kryeministrisë.

Baba i dy vajzave të mitura, humbi jetën dje në një nga spitalet e Ankarasë, ku u transportua pak ditë më parë, për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore.
Në Lezhë janë hapur që dje dyert e mortit ndërsa sot rreth orës 13:30 pritet që trupi i pajetë i  Aleksit i shoqëruar nga xhaxhai i tij, të mbërrijë në aeroportin e Rinasit. Gazeta Shqiptare shkruan sot se në këtë orar, në aeroport do të jenë duke pritur jo vetëm familjarët që ndodhen në Shqipëri, por edhe të gjithë deputetët e PS-së dhe drejtuesit e Opozitës së Bashkuar, si edhe qindra njerëz të tjerë. Ata pritet ta shoqërojnë trupin e pajetë të demonstruesit 36 vjecar, deri në shtëpinë e tij. Sipas burimeve, pritet që për homazhet të vendoset më tej, por mendohet se do të jetë dita e hënë, për shkak edhe të mbërritjes së disa prej të afërmve të tij, që ndodhen jashtë Shqipërisë.

Ndarja nga jeta e Aleks Nikajt e çon në 4 numrin e viktimave të demonstratës së 21 janarit. Në këtë demonstratë humbën jetën nga plumbat 3 demonstrues. Hekuran Deda, 45 vjeç nga Dibra ka humbur jetën si pasojë e një plumbi të marrë në kokë në një kohë që ndodhej 10-20 metra larg godinës së Kryeministrisë. Ziver Veizi, 43 vjeç nga Gjirokastra, u qëllua për vdekje me një plumb në gjoks, rreth 3-5 metra larg portës hyrëse në kryeministri, në një moment kur ai s’po reagonte dhe disa metra larg Kryeministrisë humbi jetën dhe shtetasi, Faik Myrtaj, 50 vjeç nga Fieri, i vrarë me një plumb në shpatull. Ndërsa mes të plagosurve ishte edhe gazetari Fatos Mahmutaj, i cili ka marrë një plumb në krah.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›