Vdes futbolli, edhe Kategoria I një teatër
Pazaret kanë vendosur fatet e kampionatit në Kategorinë e Parë. Në javën e fundit të këtij aktiviteti, verdiktet përfundimtare të sezonit janë njollosur nga lëshimet dhe pazaret nëpër tavolina, ndërsa loja në fushë është shndërruar në një teatër të turpshëm. Maskarada është luajtur në distancë nga Elbasani dhe Kamza, dy skuadrat që luftonin për “biletën” direkte në elitën e futbollit shqiptar. Në tentativë për të parakaluar me golavarazh elbasanasit, kamzalinjtë e drejtuar nga Perlat Musta kanë realizuar dhjetë gola në portën e Turbinës. Megjithatë, në “Ruzhdi Bizhuta” i kishin bërë të gjitha llogaritë me laps në dorë: përveç tri pikëve kundër Bylisit që ishte shpallur kampion prej javësh, verdheblutë fituan me rezultatin 8-4, duke mbajtur vendin e dytë në klasifikim. Për sa u takon ballshiotëve, ata kanë pranuar më dëshirë që të bëhen palë, sepse Elbasani ka hapur portën për Romeo Hamzai, i cili ishte autori i katër golave të miqve. Sulmuesi, i cili ka realizuar 9 gola në dy ndeshjet e fundit (pesë i kishte shënuar në fitoren 7-5 të Bylisit përballë Pogradecit një javë më parë), e mbylli kampionatin me 27 rrjeta dhe u shpall golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, duke lënë mbrapa Dorian Bubeqin e Lushnjës (22 gola). Në fund të ndeshjes Bylisi dhe Elbasani kanë festuar kthimin në elitë, ndërsa miqtë ngritën trofeun e kampionit mes ovacioneve të tifozëve elbasanas.
Me rezultatet e djeshme, përveç Kamzës, në ndeshjet “play-out” shkon edhe Lushnja e vendit të katërt, e cila fitoi 1-0 me Besëlidhjen. Këto dy skuadra do të përballen me ekipet që renditen në vendet 9 dhe 10 në fund të sezonit në Kategorinë Superiore. Në teatër u shndërrua edhe takimi Partizani-Skrapari, me të kuqtë që i dhuruan miqve fitoren 2-1 në kryeqytet. Këto tri pikë ishin shumë të rëndësishme për skraparllinjtë, që ashtu sikurse Memaliaj do të luajnë në “play-out” për të evituar rënien. Me barazimin 1-1 të Burrelit përballë Bilisht Sportit, të dyja skuadrat arritën të siguronin mbijetesën. Një kategori më poshtë zbresin Sopoti dhe Turbina.
#